E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Presidentin e Republikës së Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa

4 shtator 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot paradite në Pallatin e Brigadave Presidentin e Republikës së Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, dhe delegacionin që e shoqëron në kuadër të vizitës zyrtare në vendin tonë.

Pas pritjes ceremoniale, me ekzekutimin e himneve kombëtare të vendeve respektive dhe paradës së nderit, të dy Presidentët kryesuan bisedimet zyrtare dypalëshe midis delegacioneve.

Më pas, Presidenti Topi dhe Presidenti i Hondurasit, Porfirio Lobo Sosa, dolën para mediave në një konferencë të përbashkët për shtyp.

Presidenti Topi: Përshëndetje!

I nderuar President Sosa,
Të nderuar anëtarë të delegacionit që shoqëroni Presidentin Sosa,

Më lejoni të shpreh edhe njëherë gëzimin tim për vizitën e Presidentit Sosa në Shqipëri, në vizitën e tij të parë zyrtare! Të falenderoj atë për të gjithë predispozicionin për të rritur bashkëpunimin midis Shqipërisë dhe Hondurasit. E falenderova atë në mënyrë të veçantë për rolin e tij, për ekuilibrimin dhe ndërtimin e raporteve të paqes në vendin e tij dhe në tërë rajonin e Amerikës Qendrore të Karaibeve.

E falenderova zotin Sosa, sepse në 10 shtator të vitit 2010, Hondurasi u deklarua si vendi i 70-të që njihte Republikën e Kosovës, një shenjë respekti në funksion të së drejtës legjitime të popullit të Kosovës për t’u administruar nga institucionet e saj legjitime. Unë i thashë Presidentit Sosa që sot bota vjen e bëhet gjithnjë e më e vogël, jo sepse kanë ndryshuar përmasat e saj fizike, por raportet diplomatike janë shumë dinamike. Gjithashtu, infrastruktura, teknologjia, kanë avancuar shumë. Kështu që Hondurasi dhe Shqipëria, ndonëse gjeografikisht ndodhet disi larg, kjo distancë nuk e pengon që të ndërtojmë raporte shumë të mira, qofshin bilaterale, qofshin në kuadrin e raporteve multilaterale. Ne kemi bashkëpunuar dhe do vazhdojmë të bashkëpunojmë në mënyrë shumë të frytshme në kuadrin e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, por edhe të mjaft projekteve të tjera ndërkombëtare që janë në interes të dy vendeve, dy popujve tanë.

Zoti Sosa, do të ketë edhe takime të tjera, që do të flasë në mënyrë më specifike për çështje të zhvillimit të ekonomisë. Së bashku diskutuam edhe për nevojën e shkëmbimeve kulturore, por edhe të turizmit. Ky nivel i lartë i dialogut politik patjetër imponon edhe përmirësime në kuadrin e infrastrukturës diplomatike. Si hap i parë i nevojshëm do të ishte hapja e konsullatave të nderit në kryeqytetet respektive. Pra, ky takim ishte vërtet mjaft i frytshëm, mjaft i ngrohtë, dhe i uroj Presidentit Sosa një vazhdim të këndshëm të vizitës në Shqipëri!

Edhe njëherë faleminderit!

Presidenti Sosa: Përshëndetje miq të shtypit shqiptar!

Zoti President, për mua është nder që ndodhem këtu në vendin tuaj të dashur. Kemi patur mundësinë ta admirojmë dinamikën shumë të shpejtë të zhvillimeve në vendin tuaj. Gjatë rrugës për këtu, në shëtitoret tuaja patëm mundësinë të shohim dinamikën e zhvillimit të shpejtë ekonomik të vendit tuaj. Ju përgëzojmë për këtë!

Ne vijmë nga Kosova dhe dëshirojmë t’ju përgëzojmë për solidaritetin që ju jeni dëshmuar për popullin e Kosovës. Para një viti kemi pritur në Honduras Zëvendëskryeministrin, zotin Pacolli, i cili na foli për situatën aktuale të Kosovës, problematikën që kishte dhe i përsëritëm edhe njëherë vullnetin tonë për të mbrojtur të drejtën që ata kanë, për të pasur një shtet të lirë, të pavarur dhe sovran. Ua shprehëm atyre dhe i ratifikuam edhe në Kosovë, ne ashtu si edhe kombet e tjera të botës, ashtu siç kemi firmosur në vitin 1948, Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, që shpreh hapur dhe qartas si një princip bazë, themelor, të drejtën që kemi ne, qeniet njerëzore, dhe që të gjithë kemi lindur të barabartë, dhe që kemi të drejtën të jetojmë në paqe, dhe që të mos ketë asnjë lloj diskriminimi. Dhe kjo e drejtë e njerëzve, e qenieve njerëzore, i korrespondon njëkohësisht edhe popujve e kombeve. Kështu që i përsëritëm Kosovës se jemi miq të tyre. Pra, janë tashmë 81 vende që e njohin Kosovën dhe ky numër do të vazhdojë të rritet me shpejtësi. Dhe në pjesën që na korrespondon, do të vazhdojmë të bëjmë përpjekje të mëtejshme. Pikërisht, neve, në këtë delegacion kemi dhe miq nga Salvadori, pra, dhe përfaqësues të tjerë nga Amerika Qendrore, Komandantin Ramiro Vaskez, që është kreu i këtij delegacioni, dhe ata njëkohësisht mbështesin përpjekjet e Kosovës për të qenë një komb i njohur prej të gjithëve.

Do të ikim prej këtej shumë të lumtur, duke ju falenderuar shumë edhe njëherë për mikpritjen, dhe e dimë që jemi në një ditë të dielë! Po ju marrim kohë nga koha e së dielës, por për ne është diçka e jashtëzakonshme kjo që po përjetojmë, ashtu si dhe ju dëshmuat, do të flasim për tema që janë me interes të përbashkët. Jemi të largët gjeografikisht, por shumë afër, nga një botë globaliste. Kështu që do të mund të ndajmë tema ekonomike, kulturore dhe tema politike, dhe të gjitha përpjekjet që janë bërë nga të dyja palët për të mbajtur popullin të bashkuar ashtu siç keni bërë ju, ashtu siç kemi bërë edhe ne në Honduras. Ne kemi pasur një krizë në vitin 2009. Qeveria jona nga lindur me një përcaktim të qartë për të bashkuar dhe integruar të gjithë familjen e madhe hondurase dhe me qëllimin për t’i dhënë paqe popullit tonë, i kemi integruar të gjitha forcat politike dhe qëlllimi ynë është të konsolidojmë paqen e vendit tonë. Kështu që unë shpresoj që shpejt ne të hapim konsullatat e nderit, si në Honduras, ashtu edhe në Shqipëri.

Më besoni që është hera e parë që vij në një vend të zonës së Ballkanit, pra, hera e parë në Ballkan. Por do të iki me përshtypje jashtëzakonisht pozitive. Ju përgëzoj dhe ju uroj që të vazhdoni përpara, dhe do të vazhdojmë të luftojmë për paqen dhe demokracinë!

Shumë faleminderit zoti President!

ATSH: Kam dy pyetje, një për Presidentin e Shqipërisë dhe një për Presidentin e Hondurasit. Ju zoti President, keni premtuar në Kosovë që të ndikoni në vende të tjera hispanike për njohjen e shtetit të Kosovës. Mendoni që qëndrimi negativ i Spanjës në këtë drejtim do të ishte një pengesë për përpjekjet tuaja në njohjen e Kosovës, sepse e dimë që Spanja nuk e ka njohur ende Kosovën. Ju zoti President keni bërë një takim të zhvilluar në Serbi. Në ç’mënyrë po lobon Shqipëria për ta zgjeruar njohjen e shtetit të ri të Kosovës?

Presidenti Sosa: Kemi folur me miqtë e Kosovës që Amerika Qendrore që prej rreth dyqind vjetëve është një komb i vetëm, sepse sot jemi pesë republika dhe kemi një Parlament të Amerikës Qendrore dhe po bëjmë të gjitha përpjekjet që t’i eliminojmë kufijtë mes nesh, ashtu sikundër dhe në Bashkimin Evropian, pra, diçka e ngjashme me Bashkimin Evropian. Vura në dukje për miqtë e Kosovës që në mbledhjen e ardhshme të sistemit të integrimit të Amerikës Qendrore do të propozoj që të gjitha vendet e Amerikës Qendrore, përfshi dhe Republikën Domenikane që është pjesë e sistemit të integrimit të Amerikës Qendrore, pra, që të gjithë të bëjmë njohjen e Kosovës. Njëkohësisht iu përsërita atyre që me çdo komb që ka mundësinë të shkëmbejmë në tenxheren e madhe po themi, të vendeve të Amerikës Latinë për t’i nxitur dhe të influencuar atë që është një e drejtë e Kosovës. Të drejtat njerëzore janë të patjetërsueshme, askush nuk mund t’i mohojë dhe nuk mund të jenë të kushtëzuara nga askush. Kosova ka të drejtën të jetë një shtet i lirë, i pavarur dhe sovran. Pavarësisht nga termat europolitikë, është një e drejtë që nuk mund t’i mohohet këtij populli, këtij kombi. Vendi ynë, Hondurasi, ne, jemi në favor të asaj që duhet dhe është një e drejtë për t’u bërë, pra është një e drejtë. Karta Universale e të drejtave të njeriut është një garanci për të gjithë. Na takon të gjithëve ta nderojmë dhe ta respektojmë këtë deklaratë të të drejtave njerëzore dhe këtë e them për çdo komb dhe duhet vepruar mbi bazën e asaj që është korrekte dhe e drejtë.

Presidenti Topi: Ju tashmë e dini që të gjitha institucionet e Shqipërisë kanë një metodologji të qartë për lobimet për çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës. Të gjitha institucionet e Shqipërisë kanë shfrytëzuar dhe do të vazhdojnë të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë nëpërmjet takimeve bilaterale, por edhe multilaterale për të ngritur çështjen e nevojës së njohjes së mëtejshme të pavarësisë së Kosovës. Sigurisht, duke i bashkëngjitur, duke potencuar këtë mision fondamental që së pari kanë vetë institucionet e Kosovës, që sikurse si e shikoni çdo ditë janë duke u përpjekur në mënyrë shumë intensive për ta realizuar këtë qëllim.

Natyrisht, unë sapo jam kthyer nga një takim rajonal në Beograd, një takim i organizuar nga UNESCO-ja, Bashkimi Evropian dhe nga Këshilli i Evropës, ku nuk ka munguar dhe kërkesa që në vijim në tryezat rajonale të ftohet pa asnjë lloj paragjykimi edhe Kosova. E kam quajtur si një veprim paradoksal që ndërkohë që Kosova është njohur nga shumica e vendeve të rajonit, ndërkohë që Kosova ftohet në tryeza më të gjera se sa rajonale, të vazhdohet me këtë klimë pengese për pjesëmarrjen e Kosovës në këtë tryezë. Edhe në takimet bilaterale që kam pasur me homologë të mi, por edhe atë që kam pasur drejtpërdrejtë me Presidentin e Serbisë, zotin Tadiç, jam shprehur se nuk ka asnjë lloj sensi që të shmanget Kosova nga dialogu politik rajonal, nga shkëmbimet dhe nga të gjitha ato tema të rëndësishme që ne diskutojmë në mënyrë periodike. Kjo është absolutisht një çështje që ne e konsiderojmë një çështje kohe dhe ato faktorë që sot janë pengues, patjetër që do të ndërgjegjësohen që shumë shpejt Kosova të jetë pjesë e rëndësishme e këtyre tryezave. Pra, aksioni diplomatik dhe politik në funksion të lobimit për njohjen e pavarësisë së Kosovës është mjaft intensiv, i mirorganizuar dhe shumë institucional dhe në bashkëpunim me partnerët tanë më të rëndësishëm ndërkombëtarë.

Vizion Plus: Zoti President i Shqipërisë, më falni në fakt që do ju pyes për diçka që është jashtë temës së konferencës, por që është mjaft e ndjeshme për situatën politike në Shqipëri. Do të doja shumë të dija opinionin tuaj në lidhje me kabllogramet që janë publikuar kohët e fundit në mediat shqiptare specifikisht, ku del qartë opinioni i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për sa u takon çështjeve shumë sensitive gjatë këtyre viteve në Shqipëri dhe rolin që ka luajtur vetë klasa politike në Shqipëri. E para. Dhe e dyta. A mendoni se në bazë të këtyre opinioneve, Prokuroria e Përgjithshme duhet të nisë një hetim më të gjitha këto që u përmendën?

Presidenti Topi: Më vjen mirë që ju e konsideruat pyetje jashtë teme pa e bërë pyetjen. Nuk dua të krijoj asnjë klimë ofeze ndaj jush. E respektoj pyetjen tuaj, absolutisht, por besoj që takimi i sotëm është i tillë që na imponon që t’i largohemi me vullnet që të mos përgjigjemi sot për këtë çështje, por duke lënë të hapur që në ditët në vazhdim të bëjmë komentet tona. Kështu që kërkoj dhe mirëkuptimin tuaj për shkak të këtij takimi që është shumë specifik me Presidentin e nderuar të Hondurasit.

Falemnderit!

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›