E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret Zëvendëspresidentin e Federatës Botërore të Atletikës, Sergei Bubka.

22 qershor 2010

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në Presidencë, ish-kampionin botëror ukrainas të kërcimit me shkop dhe Zëvendëspresidentin e Federatës Botërore të Atletikës, Sergei Bubka, i cili po viziton zyrtarisht vendin tonë. Në takim ishin të pranishëm edhe zoti Gjergj Ruli, President i Federatës Shqiptare të Atletikës, zoti Nikolin Dionisi, Sekretar i Përgjithshëm i FSHA-së dhe zoti Stavri Bello, Sekretar i Përgjithshëm i KOKSH-it.

Pasi i uroi mirëseardhjen në vendin tonë, Presidenti Topi shprehu kënaqësinë “për këtë takim të veçantë me një atlet të jashtëzakonshëm dhe kampion të vërtetë e shumë të suksesshëm” dhe vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Federatës Botërore të Atletikës për atletët shqiptarë në aktivitete të rëndësishme sportive, siç do të jetë ai i zhvillimit në vendin tonë të Kampionatit Botëror të Vrapimit Malor.

Gjatë bisedës së zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, Kreu i shtetit vuri në dukje se sporti ka një mision të jashtëzakonshëm, sidomos për fëmijët dhe brezin e ri dhe vlerësoi rolin prej një ambasadori të vërtetë të kampionit të kërcimit me shkop, Sergei Bubka në promovimin e vlerave të vërteta sportive dhe njerëzore kudo në botë, edhe në Shqipëri.

Presidenti Topi, duke u shprehur njëkohësisht edhe mbështetjen e tij personale dhe institucionale theksoi se “në sport një fitore e merituar, rezultatet maksimale dhe sukseset arrihen vetëm nëpërmjet një vullneti i mirë, dëshire dhe pasioni për sportin, si në çdo fushë tjetër të jetës”.

Nga ana e tij, Zëvendëspresidenti i Federatës Botërore të Atletikës, Sergei Bubka, duke falenderuar Presidentin Topi për pritjen e përzemërt dhe duke u shprehur i nderuar për këtë takim, nëvizoi gatishmërinë e tij personale, por dhe të Federatës që ai drejton, për të bërë përpjekje maksimale në drejtim të zhvillimit cilësor të sportit shqiptar të atletikës, si dhe për të mbështetur fuqimisht afirmimin e atletëve të rinj e të talentuar shqiptarë në arenën ndërkombëtare.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›