E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi pret balerinin e njohur shqiptar, Kledi Kadiu

23 dhjetor 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot në mesditë balerinin e njohur shqiptar me banim në Itali, Kledi Kadiu me të cilin zhvilloi një takim të ngrohtë e miqësor në prag të festave të fundvitit, duke i uruar me këtë rast “Një Vit të Ri 2012 sa më të gëzuar e të mbarë”.

Pasi çmoi veprimtarinë e shquar artistike të balerinit shqiptar, i cili është shpallur edhe “Ambasador i Kombit” në vitin 2008 nga Presidenti Topi, Kryetari i Shtetit vlerësoi me krenari të gjithë ata bashkatdhetarë si zoti Kadiu, të cilët janë dalluar në Evropë e më gjerë me karrierat dhe profesionalizmin e tyre, por në radhë të parë me ndjenjat e spikatura të atdhedashurisë duke lartësuar imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo në botë.

Nga ana e tij, balerini shqiptar Kledi Kadiu, pasi falenderoi për pritjen e përzemërt dhe për vëmendjen e vazhdueshme institucionale dhe personale të Presidentit Topi kushtuar shqiptarëve kudo ku ata jetojnë, theksoi se do të vazhdojë të punojë me përkushtim për të nderuar gjithmonë emrin e kombit shqiptar dhe në veçanti për të nxjerrë edhe më në pah vlerat dhe talentin e artistëve shqiptarë.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›