Presidenti Topi pret raportuesit e Këshillit të Evropës, Dejvid Uilshajër dhe Jako Lakso.

Presidenti Topi pret raportuesit e Këshillit të Evropës, Dejvid Uilshajër dhe Jako Lakso.
5 nëntor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi zhvilloi sot një takim me përfaqësuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Dejvid Uilshajër dhe Jako Lakso.
Gjatë bisedës, Presidenti Topi vlerësoi mbështetjen dhe asistencën e vazhdueshme të përfaqësuesve dhe misioneve të KE-së në vendin tonë për mbarëvajtjen e reformave dhe të proceseve të rëndësishme për zhvillimin e vendit. Në këtë takim, Kryetari i Shtetit bëri një panoramë të përgjithshme të zhvillimeve më aktuale në vend, duke iu përgjigjur dhe interesimit të raportuesve. Në mënyrë të veçantë, Presidenti i Republikës u ndal në disa prej arritjeve më konkrete dhe perspektivës së realizimit të reformës në fushën e drejtësisë për përmirësimin e sistemit gjyqësor, ruajtjen e pavarësisë institucionale, rritjen e profesionalizmit, rritjen e imazhit dhe integritetit të gjyqtarëve, realizimin e transparencës ndaj publikut, si dhe për fitimin e besueshmërisë së tij ndaj vendimeve të institucioneve dhe organeve të drejtësisë në vend.
Vëmendje në këtë takim iu kushtua dhe procesit zgjedhor të 28 qershorit 2009 në vend. Presidenti i Republikës vlerësoi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare si dhe procesin e pajisjes së qytetarëve me karta identiteti, regjistrimin në kohë të votuesve, ruajtjen e qetësisë para dhe gjatë ditës së zgjedhjeve, punën e strukturave dhe institucioneve përkatëse në këto drejtime, duke iu referuar raportit të vëzhguesve ndërkombëtarë të OSBE / ODHIR-it mbi këto zgjedhje me arritjet dhe mangësitë e tyre. Presidenti Topi vuri në dukje se tashmë vendi ynë është në pritje të shqyrtimit të kandidaturës për të qenë anëtar i Bashkimit Evropian dhe se në këtë pikë ne jemi të vetëdijshëm për sfidat e rëndësishme që na presin, sfidat e integrimit, për të cilat duhet vullneti dhe angazhimi maksimal i të gjitha forcave politike në vend, po ashtu dhe i shoqërisë shqiptare.
Nga ana e tyre, raportuesit e KE-së falenderuan Presidentin Topi për pritjen dhe panoramën e detajuar e informuese të ecurisë së reformave që ka ndërmarrë Shqipëria në rrugën e saj të integrimit euroatlantik.
Të dy raportuesit e Asamblesë Parlamentare të KE-së, Dejvid Uilshajër dhe Jako Lakso shprehën vlerësime për përparimin e bërë nga Shqipëria në drejtim të demokratizimit dhe konsolidimit të demokracisë dhe bashkëpunimit konstant dhe të efektshëm me Këshillin e Evropës. Komisionerët evropianë, pasi vlerësuan lart rolin e rëndësishëm dhe moderator të Presidentit Topi në garantimin e Kushtetutës dhe ligjeve, të pavarësisë së institucioneve dhe në ruajtjen e ekuilibrave politikë në vend, vunë në dukje gjithashtu edhe nevojën e vazhdimësisë së reformave, përmbushjes së standardeve dhe të përparimit në këtë rrugën e sigurtë të realizimit të aspiratave integruese të Shqipërisë për në gjirin e familjes së madhe evropiane.