Presidenti Topi vlerëson rolin e medias në demokratizimin dhe konsolidimin e shoqërisë shqiptare.

4 nëntor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi mori pjesë sot në Konferencën për Mediat, të organizuar nga grupi mediatik WAZ, fondacioni Konrad-Adenauer, si dhe Organizata për Median e Evropës Juglindore (SEEMO) dhe bashkëpunëtorët e tyre në Shqipëri. Në prani të përfaqësuesve dhe drejtuesve të lartë të këtyre organizmave: Z. Oliver Vujoviç, Sekretar i Përgjithshëm i Organizatës për Median e Evropës Juglindore në Vjenë, Z. Srgjan Kerim, Këshilltar i Posaçëm për çështjet politike të Grupit mediatik WAZ në Maqedoni Maqedoni, Z. Dirk Forger, Drejtor i Programit të Medias për Evropën Juglindore (KAS) në Bullgari, si dhe të Z. Frrok Çupi, Kryetar i SEEMO në Shqipëri, si dhe të tjerë personaliteteve të spikatura në fushën e medias, Presidenti i Republikës mbajti fjalën përshëndetëse.
Gjatë saj, Presidenti Topi vuri në dukje faktin se shoqëritë demokratike e konsiderojnë median si barometër të lirisë dhe të nivelit të demokracisë të tyre, por rëndësia e saj shumëdimensionohet në vendet dhe shoqëritë në procese demokratike e në zhvillim siç është Shqipëria e në rajone në procese integruese siç është Evropa Juglindore. “Pa një media të lirë nuk mund të ketë demokraci”, - theksoi Presidenti duke shprehur dhe besimin se “më mirë nga të gjithë e dimë këtë ne që po përpiqemi të forcojmë prej vitesh demokracinë në vendet tona dhe që të kemi një media të pavarur, pluraliste, që njeh dhe shpreh shqetësimet tona është një nga rrugët më të sigurta për ta arritur idealin tonë për një shoqëri demokratike.”
Pasi bëri një retrospektivë të zhvillimit të medias shqiptare përgjatë viteve të tranzicionit politik e shoqëror, duke u ndalur në hapat konkretë të hedhur për krijimin, funksionimin dhe evoluimin e mediave në kushte sa më të mira e baza të forta ligjore e profesionale në Shqipëri, si dhe duke nënvizuar marrëdhëniet e saj specifike me politikën shoqërinë shqiptare, Kryetari i Shtetit theksoi: “Ky auditor shumë profesional sigurisht që ka përfaqësues të medias, ka politikanë, ka njerëz që dëshirojnë që ky proces të jetë kompatibël për demokracinë. Duhet t’i themi gjërat në kohën e duhur dhe në funksion të momentit të duhur. Më duhet të dal nga materiali i shkruar pikërisht për një moment, i cili na bëri të gjithëve të ndjehemi keq, dhuna ndaj një gazetari. Nuk është herë e parë, uroj të jetë dhe rasti i fundit. Që të jemi realistë, shoqëria gjithmonë do të ketë dhe episode të tilla të pakëndshme. Çështja nuk është thjesht tek reagimi nëpërmjet deklaratave. Jemi mësuar të dëgjojmë gjithnjë deklarata dhe deklarata post factum dhe për fat të keq ndonjëherë edhe post mortum. Gjërat kanë nevojë për profilaksi, gjërat kanë nevojë për bashkëpunim, gjërat kanë nevojë për sinqeritet, gazetarët kanë nevojë të kenë një terren të lirë, por nga ana e tyre dhe gazetarët kanë nevojë që të kenë integritet. Integriteti nuk injektohet, integriteti duhet të demonstrohet. Të gjithë së bashku kemi shansin që jetojmë në ditë demokracie. Ju e dini që edhe në tregun mediatik ka media që në mënyrë të qartë janë të profilizuara në një drejtim, janë kompakte, saqë është e vështirë ndonjëherë të gjesh nëse janë gazetarë, apo janë parti politike, pra një lloj joint-venture duke i shërbyer një linje dhe nuk i shërben publikut. Publiku ka nevojë të orientohet dhe është detyrë e medias dhe është domosdoshmëri që publiku të jetë i orientuar në mënyrë harmonike. Aq më keq kur denatyrohet misioni i medias në një joint-venture të natyrës ekonomike. Pra, të gjithë së bashku duhet të injektojmë demokraci në këtë funksionim të domosdoshëm të medias, e cila domosdoshmërisht duhet të ketë lidhje me politikën, me institucionet, me biznesin, por të jetë në një terren të ndershëm integriteti.
Ngjarja, do të thoja e papranueshme, e dhunimit të gazetarit duhet patjetër të ngrejë në alarm institucionet e shtetit dhe kjo nuk mund të vijë në formën e orientimit nga Presidenti, por në një shtet demokratik të gjitha institucionet kanë përgjegjësi dhe detyrime specifike për të vendosur jo vetëm standardet e shtetit ligjor, por për të garantuar klimën. Ka politikanë që nuk i zë gjumi deri sa të nxjerrin titujt e gazetave. Kjo është pak dhe kjo nuk ka vetëm një aktor, ka disa aktorë dhe këtu ka një joint venture të politikës me median. Pra, të gjithë së bashku duhet të dimë ta vëmë median në funksion të shoqërisë. Ka nevojë të promovohen vlera shumë të rëndësishme të këtij bashkëpunimi. Por, patjetër që edhe ai që ka oreks të tepërt për të abuzuar me median duhet të dijë të frenohet, të kontrollohet dhe gjithçka ta vendosi në harmoni dhe në funksion të interesave madhore të vendit tonë.
Për këtë arsye raportet e këtij pushteti të katërt me pushtetin politik janë shumë të rëndësishme. Ato kanë qenë të ndërlikuara e ndër vite kanë kaluar nëpër etapa të ndryshme zhvillimi. Në të njëjtën kohë është edhe një marrëdhënie që përfshin dhe ndikon tek e gjithë shoqëria. Natyrisht që për vetë pushtetin dhe ndikimin që ka, media është një fushë e lakmueshme nga politika dhe shpesh bëhet pre e ndikimit të kësaj të fundit.
Presionet politike, por jo vetëm ato, fatkeqësisht janë ende të pranishme në skenën e medias shqiptare. Këto duhen parë jo vetëm si një marrëdhënie dypalëshe mes medias dhe politikës, por edhe si një reflektim i gjithë zhvillimit të shoqërisë, me faktorë të ndryshëm që ndërthuren midis tyre”.
Presidenti Topi vuri në dukje rëndësinë thelbësore të misionit që mediat mbartin. “Misioni është fisnik, sepse përgjegjësia e saj qytetare, besueshmëria që gëzon nga qytetarët dhe detyrimi për t’u shërbyer atyre nuk është akt ligjor, por mbi të gjitha është kod moral dhe i shenjtë, i lidhur nëpërmjet lirisë, pavësinë e të vërtetës që vetë media e ka fituar në betejat historike me pushtetin politik. Beteja me politikën nuk duhet ta lodhë, as ta ligështojë e as ta thyejë atë. Çdo puthjedore e politikës për të braktisur misionin është jo vetëm robëri dhe dështim moral ndaj qytetarëve, por edhe kthim pa shpresë mbrapa me pasoja të rrezikshme për demokracinë dhe vendin”, - u shpreh Presidenti Topi.
Kryetari i Shtetit foli gjithashtu dhe për rëndësinë e jashtëzakonshme të standardeve profesionale dhe etikës në media. “Jemi të ndërgjegjshëm që mediat në vendin tonë, por edhe në rajon, kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë para se të arrijnë në këtë standard e disa nga faktorët nuk varen vetëm nga media apo gazetarët”, - vuri në dukje Presidenti Topi. “Për këtë arsye, mendoj se beteja për një media të pavarur, të lirë dhe me mision publikun është e gjatë dhe e vështirë për të cilën të gjithë ne duhet të përpiqemi me përkushtim e vendosmëri çdo ditës”, - theksoi Presidenti i Republikës në përfundim të fjalës së tij.