Fjala e Presidentit Topi, në Forumin e tretë për median në Evropën Juglindore: “Media, Marketing, Biznes dhe Media e re”.

4 nëntor 2009
I nderuar zoti Sekretar i Përgjithshëm,
I nderuar zoti Kerim,
I nderuar zoti Fëger,
E nderuar zonja minister,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Shqipërisë,
Shkëlqesi ambasadorë,
Të dashur gazetarë dhe përfaqësues të medias shqiptare dhe të huaj,
Zonja dhe zotërinj!
Më jepet rasti të mbaj fjalën në konferencën e tretë, ose më mirë në forumin e tretë për median në Evropën Juglindore. Kur po përgatitej kjo konferencë, më propozuan të marr pjesë muaj më parë, shumë kohë më parë, pasi në raste të tilla gjithnjë preokupacioni është sa këto konferenca vijnë në funksion të kohës, në funksion të problemeve. Por, padyshim që përgjigjia ishte e menjëhershme, sepse të diskutosh për median je gjithnjë në aktualitet. Dhe pa ditur që gjërat do të vinin që në focus të ditëve të fundit është sërish diskutimi për median, ju siguroj që edhe në këtë rast mund t’ju them që rastësia është mbreti i botës.
Me këtë rast unë dëshiroj që të përgëzoj organizatorët dhe t’ju siguroj që Institucioni i Presidentit do të jetë gjithnjë mbështetës në iniciativa të tilla, duke e konsideruar median si një misionare të zhvillimeve demokratike dhe aq më shumë për shoqëritë të cilat ende nuk e kanë mbyllur periudhën e tranzicionit. Media ka qenë bashkëudhëtare. Ne e kemi parë të rritet së bashku me demokracinë në Shqipëri. Padyshim që kemi në memorien tonë ato zhvillime qelizore që kanë të bëjnë me median e lirë, por natyrisht shohim dhe arritje, por në të njëjtën kohë shohim dhe probleme. Me sa duket këto janë sfidat e demokracisë. Duhet t’i pranojmë ashtu siç janë dhe duhet të bëjmë përpjekje madhore që gjërat të shkojnë në sintoni me standardet e botës së qytetëruar. Sigurisht emërtimi i konferencës është për “Median, Marketingun, Biznesin dhe Median e re”. Të flasësh për median mund të marrësh disa këndvështrime: media-politika, media-biznesi, media-marketing. Unë besoj që media duhet parë para së gjithash, së paku nga ato çka më takon mua të prononcohem, media në dimensionet e demokracisë. Ky është një element kaq i rëndësishëm dhe substancial, jo vetëm i nevojshëm, por i detyrueshëm për informim, por edhe si një moment spiritual që e mban mendjen të gjallë, e mban të informuar, por edhe i jep mundësinë të kuptojë jetën me të gjitha dimensionet e saj.
Shoqëritë demokratike e konsiderojnë median si barometër të lirisë dhe të nivelit të demokracisë të tyre, por rëndësia e saj shumëdimensionohet në vendet dhe shoqëritë në procese demokratike e në zhvillim siç është Shqipëria e në rajone në procese integruese siç është rajoni ynë ballkanik dhe Evropa Juglindore në përgjithësi.
Presidenti amerikan Franklin Rusvelt, në janar të vitit 1941, duke folur për lirinë i është drejtuar Kongresit, me këto fjalë: “…Në ditët e ardhshme, të cilat ne do të përpiqemi t’i bëjmë të sigurta, do të mundohemi të krijojmë një botë të bazuar mbi katër liri thelbësore njerëzore.
E para është liria e shprehjes dhe e fjalës.
E dyta është liria e çdo njeriu për të adhuruar Zotin me mënyrën e vet.
E treta është liria për të dashur.
E katërta është të qenit të lirë nga frika”.
Pra, pa një media të lirë nuk mund të ketë demokraci. Besoj se më mirë nga të gjithë e dimë këtë ne që po përpiqemi të forcojmë prej vitesh demokracinë në vendet tona. Të kemi një media të pavarur, pluraliste, që njeh dhe shpreh shqetësimet tona është një nga rrugët më të sigurta për ta arritur idealin tonë për një shoqëri demokratike.
Sa kemi arritur, ku ndodhemi dhe sa rrugë na mbetet akoma?
Sigurisht, gjatë këtyre viteve, media nuk ka pasur një rrugë të lehtë. Mjafton të hedhim një vështrim mbrapa, në fillim të viteve 90-të, vitet e shpërthimeve demokratike në Shqipëri, zhvillimi i hovshëm i medias nuk mund të mohohet, avokatia e kontributi i saj ishte dhe është jetik. Askush nuk mund të harrojë pritjen me padurim të mëngjeseve për të lexuar gazetat e para të lira e të pavarura që ngrohnin shpresën dhe zgjatnin ëndrrën se edhe në Shqipëri demokracia do të kishte një të ardhme. Dhe ajo ka një të ardhme, falë edhe medias e kontributit të saj të pamohueshëm.
Legjislacioni ynë aktual për median garanton mjaftueshëm të drejta themelore si liria e shprehjes dhe informacionit. Megjithatë, nevoja për reformë edhe në këtë fushë të ligjit është e nevojshme. Raport- progresi më i fundit i Bashkimit Europian nënvizon se “…Ligji mbi transmetimin elektronik duhet adaptuar dhe ligji mbi mediat private dhe publike nuk është sipas standardeve ndërkombëtare. Përgjithësisht, ka pasur pak progres në përmbushjen e kuadrit ligjor mbi median. Përpjekje më të mëdha duhen bërë për të përmirësuar klimën e përgjithshme në media, për të finalizuar strategjinë e dixhitalizimit dhe për të miratuar ligje kyçe për transmetimin, mospenalizimin e shpifjes, informacionin publik dhe transparencën e pronësisë së medias…”
Për rrjedhojë, për t’iu përshtatur sfidave të kohës edhe në këtë fushë harmonizimi i legjislacionit tonë me atë të Bashkimit Evropian, mbetet padyshim një përparësi dhe detyrë e shtëpie e rëndësishme.
Dixhitalizimi është një faqe e re në zhvillimin e medias dhe sjell mundësi të reja. Por ai përmban edhe sfida, të cilat duhet t’i trajtojmë me kujdesin dhe maturinë e duhur. Sfida e parë ka të bëjë me aspektin social të dixhitalizimit. Është i domosdoshëm garantimi i transmetimit dhe informacionit bazë për të gjithë popullsinë, pavarësisht pengesave gjeografike apo ekonomike. Kjo sepse e drejta e informimit është një e drejtë themelore dhe me një popullsi të lënë në errësirë edhe demokracia jonë do të ishte e cunguar.
Mbetet po aq e rëndësishme që në gjithë këtë proces mundësitë që u ofrohen mediave ekzistuese të jenë të barabarta, jo-diskriminuese, të qarta dhe të zbatuara nëpërmjet procedurave të hapura dhe transparente. Vend të rëndësishëm zë edhe garancia që në të ardhmen mediat publike do të vazhdojnë të transmetojnë falas dhe pa pengesa në të gjithë vendin.
Nga ana tjetër, dëshiroj të theksoj nevojën që i gjithë ky proces i rëndësishëm të jetë një projekt publik, për dhe me publikun. Një debat i mbyllur, i zhvilluar vetëm mes profesionistëve apo mes politikanëve nuk mund t’i shërbejë shoqërisë mbarë. Këto sfida kapërcehen me sukses duke shfrytëzuar më së miri këto mundësi dhe informimi i publikut dhe debati i gjithë aktorëve të përfshirë është ndoshta aspekti kyç për mbarëvajtjen e këtij procesi.
Me interes vërej se programi i Forumit tuaj, ndër të tjera, trajton edhe aspektin ekonomik e fitimprurës të medias. Ashtu si dhe në Shqipëri, besoj se në të gjithë rajonin kjo është një temë e vazhdueshme debati, jo vetëm mes profesionistëve të medias, por për të gjithë shoqërinë.
Natyrisht që është thënë vazhdimisht që mediat janë biznes dhe hyjnë në treg me qëllim fitimi e si çdo biznes tjetër ai duhet të ndjekë rregullat e tregut. Askush nuk mund të mohojë të drejtën e një biznesi për të fituar. Por në rastin e medias duhet të kemi parasysh që media shkon përtej një biznesi të thjeshtë: ajo mbart në të njëjtën kohë barrën e informimit të publikut dhe duhet të shërbejë si një kolonë e rëndësishme e demokracisë. Për rrjedhojë raporti demokraci / ekonomi e tregut / konkurrencë / media e lirë përbën një ngrehinë ku çdo mur ka rëndësinë e vet për jetëgjatësinë e tjetrit.
Është e vërtetë që konkurrenca ekziston dhe duhet të ekzistojë, por sa e ndershme është ajo dhe sa e hapur dhe e lirë lëviz për të shtrirë rregullat e saj edhe në hapësirën mediatike nëpërmjet rritjes së cilësisë e profesionalizmit për të arritur qëllimin informues e të drejtë të shoqërisë?
Transparenca në raportet biznes / pronësi mediatike / politikë dhe anasjelltas është një kusht sine qua non për çmimin që ajo duhet të paguajë për pavarësinë e saj ekonomike. Në të kundërtën media e lirë, por dhe e gjithë shoqëria mund të përballen me një deformim të ri të tregut dhe të politikës, i cili është i prirur drejt krijimit të një oligopoli informacioni, gjithnjë e më të madh dhe më të fuqishëm, për të kontrolluar tregun e shtypit e për pasojë tregun e politikës, dhe të biznesit. E nga ky fenomen antidemokratik nuk janë të mbrojtura as mediat publike, të shkruara dhe vizive, duke u kthyer në shërbëtorë të pushtetit dhe jo të shtetit, e aq më pak të shtetasve.
Për një vend të vogël si Shqipëria ky do të ishte një rrezik për demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Ndoshta ka ardhur koha t’u bihem këmbanave të alarmit.
Pa hyrë në konfliktin që mund të ekzistojë midis medias-biznes dhe medias-shtyllë demokracie, do të doja të theksoja se përgjegjësia e parë e gazetarëve dhe e medias duhet të jetë ndaj publikut dhe jo ndaj biznesit, politikës, apo aktorëve të tjerë.
Këto ditë, jemi dëshmitarë që gjërat natyrisht nuk shkojnë në një terren virtual. Opinionet janë të ndara, tregu me sa duket është i ndarë, të gjithë vërejnë që ka tentativa të qarta që grupet e politikës, pa cituar as kënd e aq më shumë nuk i takon Presidentit të Republikës që të citojë askënd, por të evidentojë një fenomen, i cili prej vitesh na shoqëron. Grupe politikanësh, parti politike, institucione të caktuara tentojnë të shtrijnë një influencë jo normale mbi mediat. Janë një pjesë e politikës, pjesë e një eksperience me të mirat dhe me aspektet negative, por ky është momenti për një reflektim të thellë.
Ky auditor shumë profesional sigurisht që ka përfaqësues të medias, ka politikanë, ka njerëz që dëshirojnë që ky proces të jetë kompatibël për demokracinë. Duhet t’i themi gjërat në kohën e duhur dhe në funksion të momentit të duhur. Më duhet të dal nga materiali i shkruar pikërisht për një moment, i cili na bëri të gjithëve të ndjehemi keq, dhuna ndaj një gazetari. Nuk është herë e parë, uroj të jetë dhe rasti i fundit. Që të jemi realistë, shoqëria gjithmonë do të ketë dhe episode të tilla të pakëndshme. Çështja nuk është thjesht tek reagimi nëpërmjet deklaratave. Jemi mësuar të dëgjojmë gjithnjë deklarata dhe deklarata post factum dhe për fat të keq ndonjëherë edhe post mortum. Gjërat kanë nevojë për profilaksi, gjërat kanë nevojë për bashkëpunim, gjërat kanë nevojë për sinqeritet, gazetarët kanë nevojë të kenë një terren të lirë, por nga ana e tyre dhe gazetarët kanë nevojë që të kenë integritet. Integriteti nuk injektohet, integriteti duhet të demonstrohet. Të gjithë së bashku kemi shansin që jetojmë në ditë demokracie. Ju e dini që edhe në tregun mediatik ka media që në mënyrë të qartë janë të profilizuara në një drejtim, janë kompakte, saqë është e vështirë ndonjëherë të gjesh nëse janë gazetarë, apo janë parti politike, pra një lloj joint-venture duke i shërbyer një linje dhe nuk i shërben publikut. Publiku ka nevojë të orientohet dhe është detyrë e medias dhe është domosdoshmëri që publiku të jetë i orientuar në mënyrë harmonike. Aq më keq kur denatyrohet misioni i medias në një joint-venture të natyrës ekonomike. Pra, të gjithë së bashku duhet të injektojmë demokraci në këtë funksionim të domosdoshëm të medias, e cila domosdoshmërisht duhet të ketë lidhje me politikën, me institucionet, me biznesin, por të jetë në një terren të ndershëm integriteti.
Ngjarja, do të thoja e papranueshme, e dhunimit të gazetarit duhet patjetër të ngrejë në alarm institucionet e shtetit dhe kjo nuk mund të vijë në formën e orientimit nga Presidenti, por në një shtet demokratik të gjitha institucionet kanë përgjegjësi dhe detyrime specifike për të vendosur jo vetëm standardet e shtetit ligjor, por për të garantuar klimën. Ka politikanë që nuk i zë gjumi deri sa të nxjerrin titujt e gazetave. Kjo është pak dhe kjo nuk ka vetëm një aktor, ka disa aktorë dhe këtu ka një joint venture të politikës me median. Pra, të gjithë së bashku duhet të dimë ta vëmë median në funksion të shoqërisë. Ka nevojë të promovohen vlera shumë të rëndësishme të këtij bashkëpunimi. Por, patjetër që edhe ai që ka oreks të tepërt për të abuzuar me median duhet të dijë të frenohet, të kontrollohet dhe gjithçka ta vendosi në harmoni dhe në funksion të interesave madhore të vendit tonë.
Për këtë arsye raportet e këtij pushteti të katërt me pushtetin politik janë shumë të rëndësishme. Ato kanë qenë të ndërlikuara e ndër vite kanë kaluar nëpër etapa të ndryshme zhvillimi. Në të njëjtën kohë është edhe një marrëdhënie që përfshin dhe ndikon tek e gjithë shoqëria. Natyrisht që për vetë pushtetin dhe ndikimin që ka, media është një fushë e lakmueshme nga politika dhe shpesh bëhet pre e ndikimit të kësaj të fundit.
Presionet politike, por jo vetëm ato, fatkeqësisht janë ende të pranishme në skenën e medias shqiptare. Këto duhen parë jo vetëm si një marrëdhënie dypalëshe mes medias dhe politikës, por edhe si një reflektim i gjithë zhvillimit të shoqërisë, me faktorë të ndryshëm që ndërthuren midis tyre.
Media nuk ka rol për të luajtur, por mision për të përmbushur në shoqërinë tonë që kërkon demokraci, standarde e mirëqënie. Misioni është fisnik, sepse përgjegjësia e saj qytetare, besueshmëria që gëzon nga qytetarët dhe detyrimi për t’u shërbyer atyre nuk është akt ligjor, por mbi të gjitha është kod moral dhe i shenjtë, i lidhur nëpërmjet lirisë, pavarësisë e të vërtetës që vetë media e ka fituar në betejat historike me pushtetin politik. Çdo puthjedore e politikës për të braktisur misionin është jo vetëm robëri dhe dështim moral ndaj qytetarëve, por edhe kthim pa shpresë mbrapa me pasoja të rrezikshme për demokracinë dhe vendin.
Sa më parë që media të arrijë një pavarësi të qenësishme nga politika dhe nga levat e saj, ajo do t’i afrohet publikut, halleve e problemeve të tij, aq më e çliruar do të jetë ajo për të luftuar sëmundjet e shoqërisë, korrupsionin, antivlerat dhe tendencat antidemokratike të shoqërisë sonë. Pikërisht për këtë arsye, pavarësia e medias është një qëllim, për të cilin duhet të përpiqemi të gjithë dhe ku kontributi i gjithësecilit është i mirëpritur.
Së fundmi, dëshiroj të prek rëndësinë e jashtëzakonshme të standardeve profesionale dhe etikës në media. Natyrisht që këto standarde rriten edhe me ndihmën e kushteve të tilla si trajnime profesionale, trajtim i drejtë ekonomik dhe kushte të përshtatshme pune. Pra, një investim në cilësinë e gazetarëve vetëm do ta përmirësonte atë që të gjithë ne lexojmë, dëgjojmë dhe shohim çdo ditë në mediat tona.
Por standartet dhe sjellja profesionale e medias përbëhen nga parimet e etikës dhe praktikës së shëndoshë siç aplikohen ndaj sfidave specifike, me të cilat ballafaqohen gazetarët profesionistë. Historikisht, por sidomos tani, ky grupim i caktuar i sjelljes profesionale të medias njihet nga gazetarët si “kodi i sjelljes” profesioniste ose “kanunet e gazetarisë”.
Jemi të ndërgjegjshëm që mediat në vendin tonë, por edhe në rajon, kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë para se të arrijnë në këtë standard e disa nga faktorët nuk varen vetëm nga media apo gazetarët. Për këtë arsye, mendoj se beteja për një media të pavarur, të lirë dhe me mision publikun është e gjatë dhe e vështirë për të cilën të gjithë ne duhet të përpiqemi me përkushtim e vendosmëri çdo ditë.
Ju falemnderit”!