Presidenti Topi u përgjigjet interesimit të gazetarëve pjesëmarrës në Forumin për median në Evropën Juglindore.

4 nëntor 2009
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, pas përfundimit të Forumit të tretë për median në Evropën Juglindore: “Media, Marketing, Biznes dhe Media e re” iu përgjigj interesimit të gazetarëve pjesëmarrës të huaj dhe vendas.
Pyetje: Çfarë domethënie ka një event i tillë mediatik ndërkombëtar në Shqipëri, organizuar nga një grup i fuqishëm mediatik si WAZ Media Group dhe partnerët e tij në një terren kur Shqipëria ka humbur pesë vende në klasifikim, krahasuar me vitin e shkuar në raportin e “Reporterëve pa kufij”, duke patur parasyh edhe incidentin e fundit që vetë zoti Topi e përmendi lidhur me gazetarin Baze?
Presidenti Topi: Ju falemnderit për pyetjen! Unë mendoj se një organizim i tillë kaq serioz, i zhvilluar në Tiranë, është pjesë e atij imazhi të ri që është krijuar për Shqipërinë. Natyrisht, episode negative nuk mund të mbulojnë substancën e progresit që ka bërë Shqipëria. Unë e thashë edhe gjatë fjalës sime që sikurse janë shënuar përparime në fusha të ndryshme, përparime të rëndësishme janë shënuar edhe në fushën e informimit publik. Të tërheqësh vëmendjen për të organizuar një forum të tillë në Shqipëri, patjetër që është pjesë e arritjeve edhe në kontekstin politik e rajonal. Pra, Shqipëria luan një rol të rëndësishëm moderator në rajonin ballkanik dhe është pjesë e politikave të një bashkëpunimi konstruktiv për paqen dhe sigurinë në rajon.
Brenda këtyre viteve Shqipëria ka shënuar përparim të jashtëzakonshëm në fushën e integrimit. Është një vend i NATO-s dhe një vend që ecën me siguri drejt Bashkimit Evropian. Një rol të rëndësishëm në këtë linjë ka luajtur media, e cila çdo ditë konsolidohet dhe pavarësisht problemeve që ne kemi diskutuar sot, është media që shpeshherë ka luajtur rolin e rëndësishëm të oponencës dhe aty ku ajo ka munguar: nëpër institucione dhe është një promovuese e jashtëzakonshme e mundësive që ka Shqipëria për të tërhequr investitorë. Sot Shqipëria është një terren i hapur falë politikës, falë institucioneve, por në mënyrë substanciale, falë medias.
Rasti, të cilin unë e citova dhe nuk ka nevojë t’i rikthehem më, le të jetë një episod për t’u harruar si një episod konkret, por për të mos u harruar në kujtesën që duhet të kemi të gjithë për të garantuar një klimë të sigurtë për gazetarët dhe, në mënyrë të veçantë, për gazetarinë investigative, e cila sikurse është shprehur edhe në raportin e “Reporterëve pa kufij”, është në një fazë jashtëzakonisht të dobët, fillestare. Ajo ka nevojë të forcohet dhe ky forcim duhet të vijë nëpërmjet kurajës që duhet të kenë dhe solidaritetit nga vetë gazetarët; patjetër edhe nëpërmjet krijimit të një klime normale në institucione.
Knut Prajs, Shef i zyrës së korrespondentëve të WAZ Grupit në Bruksel: Lidhur me incidentin që i ndodhi gazetarit Mero Baze
Presidenti Topi: Falemnderit! Nëse do t’ju thoja në mënyrë të menjëhershme që do të veproj dhe do të kem këtë aksion konkret, do të bëja një gabim të pafalshëm për rolin e Institucionit të Presidentit për të interferuar në strukturat e institucioneve specifike. Ne çdo ditë në kontekste të ndryshme, në apele të ndryshme, u drejtohemi strukturave të shtetit ligjor, i drejtohemi administratës, i drejtohemi Prokurorisë, u drejtohemi gjykatave që të ushtrojnë me përgjegjësi profesionale dhe me integritet detyrën e tyre. Në rast se ne sot flasim për nevojën e përmirësimit të klimës në media dhe profesionalizmin, ju siguroj që me të njëtjën gjuhë dhe me të njëjtin ton diskutojmë dhe për rritjen e standardeve në institucionet e drejtësisë. Këtë e bëjmë në një komunikim midis nesh, e bëjmë në komunikim me partnerët ndërkombëtarë. Apeli i Presidentit, nuk dëshiroj t’u referohem apeleve që vijnë nga faktorë të tjerë, gjithsesi, janë të mirëpritura, është: Shteti ligjor duhet të veprojë, duhet të veprojë pa kursyer askënd, pa qenë i influencuar subjektivisht se kush është, çfarë mbështetje ka dhe çfarë suporti ka. Ne japim apelin, por natyrisht kemi dhe strukturat, që kontrollojnë veprimtarinë e Prokurorisë dhe të gjyqësorit. Mund t’ju citoj që ekziston Ministria e Drejtësisë me Inspektoriatin e saj, është Këshilli i Lartë i Drejtësisë me Inspektoriatin e tij, ju siguroj që do bëj përpjekjet maksimale që t’i nxis këto struktura për të përdorur atributet e tyre ligjore për të vendosur të drejtën në vend dhe për të dënuar të gjithë ata që shkelin ligjin, dhunojnë gazetarët, dhunojnë të drejtat e tyre dhe patjetër që do të jem një suportues i fuqishëm i kësaj linje.
Sanja Ivaçiç, redaktore e politikës së jashtme në agjensinë e lajmeve BETA, Beograd: I dashur zoti President, ju falemnderit për kohën tuaj! Unë vij nga Serbia, siç mund të keni dëgjuar.
Pyetja ime do të jetë për politikën edhe për interesimin e medias. Dëshiroj të di se çfarë mendoni për idenë rreth bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, që u përmend kohët e fundit nga Kryeministri Sali Berisha?
Presidenti Topi: Falemnderit për pyetjen! Si një personazh i medias, do të mendoja se ju do të kishit marrë informacionin e duhur në funksion të pyetjes që bëni, sepse duket një temë shumë e elaboruar ditët e fundit. Unë do ju përsëris në të njëjtin kontekst pyetjeje përgjigjen që i kam dhënë një gazetari hungarez, me rastin e vizitës së Presidentit hungarez në Shqipëri para pak ditësh. Është krijuar një lloj kakofonie, përsa i përket zërave që lidhen me këto deklarime.
Në pozicionimin e institucioneve të Shqipërisë mund t’ju siguroj që Shqipëria respekton shtetin e ri të Kosovës si një shtet me të gjitha të drejtat e veta. Për të qenë më lakonik në përgjigjen time, qoftë Shqipëria, qoftë Kosova, qoftë Maqedonia, qoftë Mali i Zi, dhe nuk mund të shtrihem më tej, sepse kjo është në vullnetin e vendeve të tjera, por po e citoj pasi e kam marrë këtë vullnet nga partnerët, me të cilët ne kemi biseduar, do të bashkohen. Simbolika e këtij bashkimi është Brukseli në dy plane, qoftë si qendra politike administrative e Evropës së Bashkuar, qoftë dhe si Selia e NATO-s; pra, për të konfiguruar në mënyrë të plotë ëndrrën e të gjithë popujve tanë, integrimin euroatlantik. Gjithçka tjetër mendoj që ka të bëjë me keqinterpretime ose me interpretime dashakeqe të qarqeve të caktuara, që kërkojnë të rikthejnë momente të panevojshme tensioni në Ballkan. Sikurse thashë, Ballkani ka një situatë të re, ka një dialog politik të paparë ndonjëherë dhe të gjithë lidershipët politikë janë të orientuar drejt një rruge që nuk është aspiratë vetëm e tyre, por është aspiratë e të gjithë popujve të rajonit ballkanik.
Agron Bajrami, redaktor i “Koha Ditore” në Prishtinë: Para se të shtroj pyetjen, do u bashkohem kolegëve në Shqipëri për dënimin e dhunës së fundit ndaj gazetarëve dhe kërkesës që kjo të trajtohet seriozisht nga shteti shqiptar, meqenëse kemi të bëjmë me atë që tha Presidenti, me një shtyllë të demokracis; pra, me median e lirë.
Pyetja ime ka të bëjë me vendin prej nga vij, me Kosovën. Kosova është një shtet i pavarur, por Kosova, siç e dimë, të gjithë ka dhe sfida para vetes, ndër të cilat do të thoja çështjen e njohjes ndërkombëtare, e cila nuk është e mbyllur dhe çështjen e gjyqit ndërkombëtar të drejtësisë ku çështja e Kosovës do të trajtohet dhe do të dalë një opinion. Mua do të më interesonte, zoti President, se cila është ajo ndihmë konkrete që Shqipëria do të mund t’ia ofrojë Kosovës në forcimin e Pavarësisë së saj në të ardhmen. Nuk po flas për gjithë atë ndihmë që Shqipëria e ka bërë në të kaluarën, por për atë që konkretisht ajo, si shtet me synimet e veta për integrim në Bashkimin Evropian, do të mund ta ndihmonte Kosovën në ndërtimin e forcimin e shtetësisë, të demokracisë dhe përballimin e sfidave që ka përpara saj.
Presidenti Topi: Unë mendoj që është vazhdim i natyrshëm i rolit që Shqipëria ka pasur në situata të reja të krijuara në Ballkan, në situatën e re të krijuar në mënyrë të veçantë pas realizimit të Pavarësisë, më 17 shkurt të vitit 2008. Ju siguroj se një pjesë e konsiderueshme e axhendës ditore jo vetëm e Presidentit, por edhe e institucioneve të tjera, është çështja e konsolidimit të demokracisë, e institucioneve të saj në Kosovë, ndërtimi i një shteti mbi parimet e multietnicitetit, që është shumë e rëndësishme. Dëshirojmë të japim ndihmë jo thjesht në rritjen e gjeografisë së njohjes së Kosovës, nëpërmjet promovimit dhe rolit moderator që ka dhe sot lidershipi në Kosovë, por të një klime të re në rajonin ballkanik, sikurse dhe e shpreha. Mbi të gjitha, krijimi i rëndësishëm i urave të bashkëpunimit, i rritjes së komunikimit njerëzor dhe i bizneseve, sepse nuk mjafton të flasim sot për njohje të reja të Kosovës, por duhet që të gjithë së bashku, të kontribuojmë që Kosova të forcojë institucionet e veta, të demonstrojë, sikurse po e bën me shumë maturitet se është një shtet i ri multietnik, në respektim të çdo njeriu që jeton në Kosovë. E treta, që është shumë e rëndësishme, të rritet ekonomikisht, të rrisë standardet e veta, sepse e ardhmja e Kosovës nuk ka shans të ketë kthim mbrapa. Situata në Kosovë është e pakthyeshme. Kjo është, jo thjesht në vullnetin e shteteve të rëndësishme të Evropës dhe të botës, por ju e dini edhe nga gjeografia e njohjes dhe e suportit të shteteve të rajonit ballkanik, nga fqinjët, se është një tregues që Kosova do të ketë miq të rinj, partnerë të rinj. Besoj që edhe Gjykata Ndërkombëtare do të dijë të përshkohet në këtë linjë, sepse konteksti politik dhe rajonal i jep të gjitha shanset që të mos ketë më kthime në tensione dhe luftra ndëretnike, që më shumë se sa Ballkani dhe popujt e tij, askush nuk e ka provuar në kurrizin e vet. Unë mendoj se kjo situatë do të njohë vetëm progres edhe mbi bazën e informacioneve e të takimeve që kemi. Njohjet gjeografike të Kosovës do i kalojnë përmasat e kontinentit dhe do të shkojnë në Amerikën Latine, do të shkojnë në Afrikë, do të shkojnë në Azi dhe, sigurisht, presim që të ketë dhe njohje të reja në Evropë.
Valbona Kurti, “Vizion Plus”, Shqipëri: Në Shqipëri, por jo vetëm në Shqipëri, ekzistojnë tre pushtete, që teorikisht duhet të jenë qartësisht të ndara.
Çfarë ndodh me këto pushtete në Shqipëri? Sa koklaviten apo kokolepsen ato dhe ç’ndodh në raport me median? Cili nga pushtetet e ndikon më shumë median që sigurisht njihet si pushteti i katërt, edhe pse ju thatë më parë se ka politikanë që nuk flenë pa i mbyllur titujt e gazetave, mund të thoja pa i bërë vetë ato?
Presidenti Topi: Besoj se ju keni edhe eksperienca personale kur jeni marrë me politikë editoriale. Kjo është një sëmundje që e kanë në përgjithësi vendet në demokraci, është mundësia e liria e komunikimit, por edhe dëshira për të mbizotëruar, sidomos faqen e parë të gazetës. Sot beteja nuk është për faqen e dytë dhe të tretë; sot beteja është për faqen e parë, për dy arsye: Së pari, ka një tirazh të pakonsiderueshëm të gazetave dhe kjo ka të bëjë me një krizë të besimit; së dyti, ka një tendencë të shprehur për të pasur në linja të caktuara të interesit gazeta, që tani njihen botërisht se i takojnë një linje të caktuar apo një linje tjetër. Kështu, nuk rritet probabiliteti që të shtohen lexuesit, por ulet. Titujt janë shumë të rëndësishëm për politikën, por sidomos për politikanë të caktuar, të cilët kanë mundësi të forcojnë lidhjet me gazetat. Ky nuk është një problem aspak personal, absolutisht, por është një problem që i takon politikës e medias. Asnjëherë dhe tek askush nuk kam bërë tentativë për të dhënë eksperienca personale për t’u vendosur në faqe të parë. Problemi është se media ka një detyrë që duhet të dalë përtej interesave të çastit, sepse mund të ketë vizita zyrtare shumë të rëndësishme për fatin e Shqipërisë dhe nuk ndiqen nga media. Kjo do të thotë që influenca është e qartë dhe bëhet për interesa të caktuara. Harrohen lajme shumë të rëndësishme, ndërkohë që dalin lajme periferike, pa asnjë farë rëndësie, lajme që nuk kënaqin askënd. Unë mendoj se vërtet pushtetet janë të ndara, por e kam shumë të vështirë të ndaj influencën e njërit pushtet apo të një pushteti tjetër.
Besoj se, në përgjithësi, edhe media vuan për të qenë e konsideruar nga pushteti që ka diçka në dorë, për t’i hapur rrugë pushtetit të tyre; kështu që, të mos e kërkojmë vetëm tek politika. Është një proces në simbiozë që duhet të pranohet nga media dhe sa më shpejt, të dilet nga kjo situatë, aq më mirë do të jetë. Do të thoni: “A është eksperiencë vetëm shqiptare?”. Jo, nuk është vetëm shqiptare. Ne kemi përballë Italinë, marrim më shumë informacion, janë të njëjtat probleme, ndonëse Italia ka vite, ka dekada përpara nesh në demokraci; me sa duket, janë probleme që ndodhin kudo, diku në mënyrë më të trashë, diku në mënyrë më të sofistikuar. Përderisa jemi në këtë fazë të zhvillimit të demokracisë e të medias, kemi mundësi që të ngremë godinën e fortë, për t’i ikur, së pari, nevojës për të qenë të nënshtruar e për të qenë shërbëtorë të pushteteve të tjera, por edhe për të dalë në misionin e vet fisnik që ka media; kështu që nuk mund të them konkretisht se cili pushtet. Ua thashë në mënyrë të tërthortë dhe besoj që ju e dini më mirë se unë.
Zoti Prajs: Lidhur me integrimin e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian?
Presidenti Topi: Askush nuk e kishte besuar se Shqipëria në vitin 2009-të do të ishte në NATO, një ndër 28 vendet e NATO-s. Besoj se edhe për më skeptikët ky vend ose këtij vendi do i duheshin shumë kohë për të arritur në këtë pikë arritjeje të rëndësishme. Dhe ja që sot Shqipëria është vend me të drejta të plota në NATO. Dikush mund ta konsiderojë këtë vetëm si rrjedhojë e një pozicionimi gjeostrategjik. Ky është kusht i rëndësishëm, por nuk është i mjaftueshëm. Shqipëria ka kaluar në këto 17-18 vjet, natyrisht, nëpërmjet një rruge të vështirë demokracie, por edhe dëshire të jashtëzakonshme për të qenë pjesë e ëndrrës euroatlantike. Unë do t’ju thosha që nuk ka një rast të dytë ku përqindja e mbështetëse të shkojë në shifrat 95-96 përqind; është rast unikal. Por, përveç këtij respekti të treguar nga vendet e Aleancës, patjetër që janë marrë në konsideratë reformat dhe progresi që ka bërë Shqipëria, në mënyrë të veçantë për rolin e jashtëzakonshëm konstruktiv në rajon.
Më lejoni t’ju them që shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Shqipëri. Ata jetojnë dhe në Maqedoni, një vend i cili ka pasur oshilacionet e veta në stabilitet, jetojnë në Kosovë e në Mal të Zi. Shumë shqiptarë të emigracionit të ri jetojnë në Greqi; pra, unë nuk besoj se ky stabilitet ka ardhur thjesht nga dëshira e lidershipit politik. Ka ardhur dhe si pasojë e një roli të jashtëzakonshëm të faktorit njerëzor në terren.
Së dyti, për sa i përket integrimit të në Bashkimin Evropian, ky është një proces që nuk vjen në mënyrë të segmentuar vetëm për Shqipërinë. Vendi ynë trajtohet sot si pjesë e një konteksti rajonal, diskutohet për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të integrohen në Bahkimin Evropian dhe kjo është një çështje kohe. Sigurisht, që integrimi në Bashkimin Evropian kërkon më shumë kohë, sepse kërkon më shumë standarde, por unë mendoj që politikisht Shqipëria është pozicionuar për të qenë pjesë e familjes natyrale dhe familjes politike europiane. Nuk ka asnjë problem. Të gjithë faktorët janë të unifikuar, qofshin këto në mazhorancë, në opozitë, në rotacione probabile të klasës politike, nuk ka qoftë dhe një zë të vetëm që të kontestojë këtë proces. Problemi është në funksion të kohës. Sigurisht, që ka elementë, për të cilët ne duhet të punojmë fort për t’i arritur ato standarde. Është një proces jo revolucionar. Është një proces evolucionar. Ai vjen hap pas hapi. Le t’i marrim hapat ashtu si dhe janë projektuar, kërkesën për t’u bërë vend i Bashkimit Evropian, procesin e liberalizimit të vizave, plotësimin sa më të shpejtë të këtyre standardeve. Unë mendoj se të gjitha momentet që mund ta pengojnë momentalisht nuk janë konsideruar si qëndrime politike, por konsiderohen si çështje të karakterit teknik që imponohen nga konstituimet e parlamenteve, të qeverive. Unë shoh tek partnerët evropianë një mbështetje të pakursyer për ta orientuar Shqipërinë drejt Bashkimit Evropian. Se kur vjen ky moment, natyrisht, që nuk jam unë që mund ta them. Edhe sikur t’i parashikoja gjërat me objektivizëm, ky është një proces që varet nga vullneti dhe nga realizmi i standardeve të institucioneve të Shqipërisë. Unë nuk besoj se do të ketë pengesa substanciale që do ta pengonin artificialisht integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Po ta kaloja në kontekstin historik, po të rrëmojmë në kulturën e vjetër të Shqipërisë e historinë e saj, Shqipëria ka qenë pjesë natyrale e Evropës në shekuj. Ky do të ishte thjesht një rivlerësim i pozicionit të Shqipërisë në funksion të një kohe të re.
Znj. Sanja Ivaçiç: Po të kemi parasysh mosmarrëveshjen midis Shqipërisë dhe Serbisë përsa i përket Kosovës, a është e mundur për dy vendet që të kenë marrëdhënie të mira dhe të bashkëpunojnë në fusha të tjera dhe në këtë kontekst, a keni ju apo qeveria juaj kontakte me qeverinë dhe Presidentin e Serbisë?
Presidenti Topi: Absolutisht që politika e institucioneve të Shqipërisë është e pakompleksuar në raportet me vëndet e rajonit, përfshi këtu edhe Serbinë. Ne jemi pjesë e tryezave rajonale. Ju siguroj se, me Presidentin Tadiç, jam takuar disa herë me rastin e zhvillimit të tryezave ballkanike kur është diskutuar për çështje të politikës, për çështje të zhvillimit të ekonomisë, për çështje të mjedisit, për çështje të shkëmbimit të informacionit e të kulturave dhe, nëse nuk biem dakord për një element, kjo nuk do të thotë që nuk mund të bashkëpunojmë për çështje të një karakteri tjetër. Pra, ne dëshirojmë që të zhvillojmë marrëdhënie miqësore edhe me Serbinë dhe inkurajojmë kursin e Serbisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Padyshim, është një çështje e vullnetit të popullit të Serbisë dhe dëshirojmë që, në kontekstin rajonal, të jetë kontribuese e qetësisë dhe e sigurisë.
Përsa i përket problemit që ne kemi debatuar dhe vazhdojmë të debatojmë, ai është për një çështje që, me sa duket, të dy palët nuk tërhiqen nga pozicioni i tyre. Nuk besoj që do të ketë ndonjëherë mundësi për t’u afruar në këtë qëndrim, sepse janë qëndrime jashtëzakonisht të stabilizuara dhe kanë brenda një përmbajtje retrospektive historike. Për sa u përket çështjeve të tjera të zhvillimit politik dhe ekonomik, sikurse e keni parë, ka pasur edhe prononcime nga përfaqësues të qeverisë shqiptare, që dëshirojnë t’i zhvillojnë mbi bazën e parimit të fqinjësisë së mirë dhe të interesit reciprok. Kjo besoj se është edhe në klimën e përgjithshme rajonale ku të gjitha vendet dëshirojnë të kenë marrëdhënie midis tyre dhe me Bashkimin Evropian.
Agron Bajrami: Zoti President, duke pasur parasysh kontekstin rajonal dhe rolin e Shqipërisë në Evropën Juglindore, posaçërisht me vendet ku ka komunitet shqiptar dhe situata që do i quaja të brishta ku shembull është Maqedonia apo dhe Serbia me Luginën e Preshevës, si e shihni rolin e Shqipërisë në stabilizimin e këtyre situatave dhe, përgjithësisht, në stabilizimin e rajonit?
Presidenti Topi: Ne kemi demonstruar në vite se kemi stabilizuar një dialog politik që sot konsiderohet në nivelet më të mira. Në rastin e Maqedonisë, kontaktet e institucioneve të Shqipërisë me institucionet, por edhe me partitë politike shqiptare janë ndërtuar në mënyrë të tillë që t’i kontribuojnë stabilitetit të saj. Stabiliteti i Maqedonisë është shumë i rëndësishëm për Shqipërinë, për popullsinë shqiptare atje, por edhe për stabilitetin e rajonit. Ju keni parë që takimet me personalitetet më të larta të Maqedonisë kanë qenë frekuente, kanë qenë takime rajonale, takime dypalëshe, takime zyrtare, takime pune, takime informate. Mjafton t’ju risjell në vëmendje takimin e Vlorës, realizuar në korrik të këtij viti, takim i cili mblodhi në një tryezë shumë miqësore katër presidentë: Presidentin e Malit të Zi, të Maqedonisë, të Kosovës dhe të Shqipërisë, ku u ballafaquan vullnetet pozitive për zhvillimin e këtyre marrëdhënieve. Kuptohet që në këto biseda merret në konsideratë roli dhe funksioni i partive politike shqiptare apo i pakicave të tjera, të cilat janë një rregullator ndoshta jo shumë i dukshëm, por mjaft i rëndësishëm. Kështu që ne gjithnjë jemi shumë të vëmendshëm në këtë sens, jo në interes të ruajtjes së standardeve të pakicave kombëtare që stabilizohen me konventat e Këshillit të Evropës, por dhe me faktorë që janë shumë të pranishëm dhe janë shumë aktivë në jetën politike të këtyre vendeve. Ju siguroj që këto marrëdhënie janë shumë korrekte dhe shumë të frytshme për stabilitetin dhe për harmoninë rajonale.