Presidenti Topi shpall Kristo Frashërin “Nderi i Kombit”
Presidenti i Republikës, Bamir Topi dekoroi sot në mesditë historianin e shquar Kristo Frashëri me Urdhrin “Nderi i Kombit” gjatë një ceremonie të veçantë në Pallatin e Brigadave ku ishin të ftuar personalitete të shkencës, historisë, gjuhësisë dhe akademikë të njohur. Pas nderimit të hymnit kombëtar dhe leximit të dekretit nga Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, z. Aleksandër Flloko, Presidenti i Republikës i dorëzoi Prof. Kristo Frashërit Urdhrin “Nderi i Kombit” me motivacionin: “Historianit të shquar, me vizion të gjerë e njohuri të thella, që dijet, pasionin dhe talentin ia përkushtoi shkrimit të historisë së kombit të tij”. Prof. Kristo Frashëri i emocionuar u shpreh se: “Këto janë çaste kur njeriu nuk di çfarë të thotë, kur je në moshë kaq të thyer. Unë dy fjalë do them: Falenderoj Presidentin e vendit për këtë nder që më bëri, në këtë moshë të thyer të marr edhe një shpërblim kaq të madh dhe kaq të rrallë! Nuk di si të përgjigjem! Do të vazhdoj me sa fuqi që kam të punoj derisa të realizoj ato projekte që kam. Jam banor shumë i vjetër i Tiranës. Kam ardhur në Tiranë, kur Shqipëria pesëdhjetë vjet më parë ishte ‘Shqipëria e kandilit’. Shqipëria u bë e elektrikut dhe tani po bëhet e internetit. Jam i lumtur që i kam përjetuar këto pesëdhjetë e ca vjet dhe uroj që vendi të shkojë gjithnjë e më para.”
23 Maj 2008