E Diel, 1 Nëntor 2026

Ndërkombëtarët: Pas 15 qershorit, prania në Kosovë e paqartë



Pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës më 15 qershor mbetet e paqartë prania ndërkombëtare civile. Për këtë arsye është mbledhur gjatë ditës së djeshme Grupi Drejtues për Kosovën i cili diskutoi dy pikat themelore: zbatimin i pakos së Ahtisarit dhe praninë ndërkombëtare pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës. Këtij grupi i është drejtuar për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë kryeministri Hashim Thaçi, i cili u shpreh se qartësia e pranisë ndërkombëtare pritet vetëm pas 15 qershorit. “Më 15 qershor do të hyjë në fuqi Kushtetuta, institucionet do t’i marrin kompetencat e veta, do të ushtrojnë autoritetin hap pas hapi në tërë territorin e Kosovës, me mbështetjen civile dhe ushtarake ndërkombëtare”,-u shpreh ai duke shprehur mirënjohje të thellë edhe për punën e OKB-së e cila do të rikonfigurohet, veprim ky që është mirëpritur nga institucionet e Kosovës. “Nuk duhet pretenduar që të ndërtohen mure mes Kosovës dhe OKB-së. Pretendimi ynë është i qartë, implementimi i kritereve demokratike, vazhdimi i integrimit të Kosovës në strukturat veri-atlantike, por, natyrisht, përkushtim i vazhdueshëm që në të ardhmen e afërt edhe ne të jemi pjesë e OKB-së”. Ndërkohë, kreu i Grupit Drejtues për Kosovën, Piter Feith, ka shfaqur besimin se Zyra Ndërkombëtare Civile do të shtrijë funksionin e saj në tërë territorin e Kosovës. Kjo zyrë qe tërhequr nga veriu i Kosovës pas refuzimit që i është bërë misionit të BE-së nga serbët në atë pjesë. Feith është shprehur se Zyra që ai drejton, po ushtron funksionin në veri. “Zyra Civile Ndërkombëtare ka mandat që të ndihmojë qeverinë në zbatimin e pakos së Ahtisarit, në krijimin e një shoqërie multietnike në tërë territorin e Kosovës dhe ne po punojmë në këtë kontekst”,-tha Feith duke konfirmuar përkrahjen e të gjitha shteteve anëtare te Grupit Ndërkombëtar Drejtues për pavarësinë e Kosovës. Ky ishte takimi i tretë i Grupit Drejtues për Kosovën ku morën pjesë shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ndërsa kreu i misionit të BE-së EULEX, Iv de Kermabon ka deklaruar në Prishtinë se UNMIK-u nuk do të jetë edhe për një kohë të gjatë lojtari kyç në Kosovë pasi pozicioni i misionit të BE-së tashmë është i qartë. “Nuk mendoj se UNMIK-u do të jetë edhe për një kohë të gjatë lojtari kyç në Kosovë. Nuk jam në dijeni se çfarë vendimi do të sjellë Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Mun. Ai është njeriu që duhet të vendosë për ndryshimet brenda UNMIK-ut. I përket atij që të përballet me gjendjen e pas 15 qershorit, kur në fuqi do të hyjë Kushtetuta e Kosovës”,-tha Kermabo.

Dorëhiqen 48 oficerët serbë që protestuan pavarësinë e Kosovës

48 oficerë serbë kanë dhënë dorëheqjen nga Shërbimi Doganor i Kosovës, pas pezullimit të tyre nga puna. Ky lajm u bë i ditur nga zyrtarët e këtij shërbimi, sipas të cilëve pezullimi i oficerëve më herët erdhi për shkak të mosparaqitjes në vendin e punës pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt. Zëdhënësi i Shërbimit Doganor të Kosovës, Adriatik Stavileci tha se dorëheqja e oficerëve serbe nuk paraqet problem, pasi shumë shpejt vendet e tyre do të plotësohen me oficerë tjerë që do të përzgjidhen me konkurs. “Shërbimi Doganor e ka një konkurs të hapur momentalisht për pranimin e oficerëve doganorë. Është interesant të përmendet se pavarësisht që 48 oficerët kanë braktisur punën, Shërbimi Doganor i Kosovës ka pranuar një numër të madh aplikimesh për punësim nga vetë minoritarët serbë. Pra kjo tregon që edhe këta pjesëtarë janë të interesuar të punojnë në Shërbimin Doganor”,-theksoi Stavileci. Në mesin 567 oficerëve doganorë në gjithë Kosovën, aktualisht 12 janë serbë, të cilët nuk e kanë bojkotuar punën.

Serbi, nacionalistët pranë marrëveshjes për qeverinë

Blloku nacionalist në Serbi është afër marrëveshjes për qeverinë me socialistët e Millosheviçit. Ky lajm u bë i ditur zyrtarja e lartë e Partisë Radikale Natasha Jovanoviç për agjencinë e lajmeve Reuters. Sipas Jovanoviç, partia e saj dhe ajo e kryeministrit në largim Vojisllav Koshtunica, zërëtarizimi i marrëveshjes me socialistët pritet të ndodhë së shpejti. Ajo ka bërë të ditur se posti i kryeministrit do t’i jepet sërish Koshtunicës. “Jemi pajtuar që Koshtunica të emërohet kryeministër”,-u shpreh ajo pas takimit me presidentin e vendit, Boris Tadiç. Sipas Jovanoviç, koalicioni do të kërkojë zyrtarisht mandatin pas nënshkrimit të marrëveshjes, që do të ndodhë së shpejti. Konsultime për krijimin e qeverisë së re serbe do të zhvillohen edhe nga partia Demokrate e Boris Tadiç. Konsultimet do të zhvillohen në zyrën e presidentit i cili ka ftuar përfaqësuesit e forcave politike që kanë marrë më shumë vota në zgjedhjet e 11 majit.

23 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›