E Diel, 1 Nëntor 2026

Tasho, ekspozitë në GKA për emigrantët shqiptarë në Zvicër



Ambasada Zviceriane në Shqipëri, e mbështetur nga Ministria e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve dhe Fondacioni Kulturor “ProHelvetia” prezantojnë pasditen në Galerinë Kombëtare të Arteve ekspozitën fotografike të artistit Roland Tasho të titulluar “URË NDËRTUESIT”. Fotografi Roland Tasho është një “urë-ndërtues”, dhe i tillë paraqitet edhe për subjektet e 45 fotove të tij, që do të prezantohen në këtë ekspozitë. Janë të gjithë shqiptarë që jetojnë e punojnë në Zvicër. Ambasadorja zviceriane në Shqipëri, Zj. Yvana Enzler, në hyrje të katallogut që shoqëron ekspozitën fotografike, shprehet: “Ata u larguan nga vendi për arsye personale, duke mbartur me vete shpresat dhe pritjet, iluzionet dhe ëndrrat. Ata lanë pas rrethin familjar.Takuan njerëz të rinj dhe mësuan gjuhë të re. Iu përshtatën një mënyre të re jetese, u integruan në një mjedis personal dhe profesional të ndryshëm. Pa dyshim, disa here edhe vuajtën përulje dhe zhgënjime. Emigrantët shqiptarë në Zvicër fotografuar nga Roland Tasho janë kapur në moment të caktuara të jetës, në punë apo shtëpi dhe shfaqen natyrshëm para objektivit. Janë të qetë dhe të kënaqur me jetët e tyre si dhe me arritjet, të vogla apo të mëdha.Ata janë dëshmi e gjallë që qëniet njerëzore mund të jetojnë në harmoni nëse pranojnë dhe respektojnë njëri-tjetrin në veçantitë dhe dallimet që kanë”. Iniciativa e Roland Tashos në paraqitjen e ekspozitës: “URË NDËRTUESIT” është të jetë një urë komunikimi mes popujve, mentaliteteve dhe traditave të ndryshme. Ai i paraqet bashkombësit e vet si qytetar të botës, pjesë e integruar e saj dhe si faktor në procesin e globalizimit dhe në sfidat e mëdha të kohëve moderne. Ata janë student, në universitete dhe kolegjet zviceriane, muzikantë, avokatë, bankierë, menaxherë, piktorë e profesorë. Japin kontributin e tyre human e profesional dhe prezantojnë vendin e tyre si mesazherë dhe janë shembull i shkëlqyer i bashkjetesës dhe integrimit ndërmjet kombësive të ndryshme. Ekspozita “URË NDËRTUESIT” e fotografit Roland Tasho është vazhdim i projektit që artisti ka filluar që në vitin 2003, me shqiptarët e Italisë “L’altra Albania”,dhe do të vazhdojë edhe pas prezantimit të kësaj ekspozite edhe me shqiptarët e Greqisë.
Synimi i artistit është prezantimi i ekspozitës në disa qytete të Zvicrës, ashtu siç ka prezantuar ekspozitën “L’altra Albania” në 10 qytete të Italisë, për të paraqitur anën tjetër të medalies së imazhit të bashkombësve të tij, për të thyer barrierat dhe për tu ndjerë qytetarë të lirë të botës së madhe. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për një javë në Sallën Nr.2 të GKA-së.

23 Maj 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›