Kosovë, Shoqata e Gazetarëve reagon pas arrestimit të Baton Haxhiut
Pas arrestimit të gazetarit kosovar, Baton Haxhiu, nga Gjykata e Hagës ka reaguar Shoqata e gazetarëve Profesionistë të Kosovës nëpërmjet një komunikate për shtyp ku është shprehur shqetësimi për gazetarët. Kjo shoqatë angazhohet fuqishëm për mbrojtjen e lirisë së fjalës duke konsideruar se puna e tyre është një mision i shenjtë për krijimin e një shoqërie të lirë dhe të hapur. Gazetaria bashkëkohore jo një herë sfidohet nga informacionet ekskluzive dhe tenton që ato të jenë të plota dhe t’i përcillen shpejtë opinionit. Puna e gazetarit Baton Haxhiu është mbështetur gjithë këto vite mbi këtë parim. Kjo shoqatë shpreson se akti i arrestimit të Baton Haxhiut nuk do të dekurajojë gazetarët në punën e tyre ndërsa angazhohet fuqishëm për të garantuar të drejtën për informim dhe media të lira. Gazetari Baton Haxhiu u arrestua disa ditë më parë nga Gjykata e Hagës me akuzën se kishte thyer rregullat e saj dhe kishte bërë të ditur emrin personit që kishte dëshmuar kundër ish-kryeministrit të Kosovës Ramush Haradinaj.
23 Maj 2008