E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi shpreh ngushëllimet për ndarjen nga jeta të Haxhi Dede Reshat Bardhit

2 prill 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, nëpërmjet një mesazhi të bërë publik, shprehu ngushëllimet më të ndiera për ndarjen nga jeta të Kryegjyshit Botëror të Bektashinjve, Haxhi Dede Reshat Bardhit.

“Të nderuar familjarë të të ndjerit Reshat Bardhi,
Të nderuar drejtues dhe anëtarë të Bashkësisë Bektashiane,

Me hidhërim të madh dhe dhimbje të thellë mësova se Haxhi Dede Reshat Bardhi u nda përfundimisht nga gjiri ynë. Në këtë ditë të trishtuar, shembulli i këtij njeriu me vlera të jashtëzakonshme humane e shpirtërore, i këtij udhëheqësi fetar të përkushtuar, i cili ka dhënë kontributin e vet të çmueshëm e të pakursyer jo vetëm për fenë e bektashizmit, por edhe për rivendosjen dhe konsolidimin e demokracisë në Shqipëri, na detyron të gjithëve të përulemi me nderim e respekt para jetës dhe veprës së tij.

Haxhi Dede Reshat Bardhi i përket atij brezi të paharrueshëm atdhetarësh, të cilët iu kundërvunë diktaturës komuniste nëpërmjet forcës së shpirtit, besimit për të Plotfuqishmin dhe dashurisë për shqiptarizmën. Ai ishte jo vetëm një njeri i rrallë, një udhëheqës fetar altruist dhe frymëzues, por edhe një shqiptar i vërtetë, i cili e kaloi gjithë jetën dhe u shua duke luftuar e duke u përpjekur për idealet më sublime të besimit, lirisë, demokracisë dhe përparimit.

Shpirti i tij u prehtë në paqe!” – theksohet në mesazhin ngushëllues të Presidentit Topi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›