Presidenti Topi sot viziton Kosovën

Kreu i shtetit Bamir Topi do të zhvillojë sot një vizitë zyrtare në Kosovë. Presidenti do të mikpritet me një ceremoni solemne nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe të dy homologët do të zhvillojnë një takim kokë më kokë, për t`u pasuar nga takimi i dy delegacioneve respektive zyrtare, ku pritet që temat e bisedimeve plenare të përqendrohen në forcimin e marrëdhënieve vëllazërore, rritjen e bashkëpunimit të gjithanshëm në fusha me interes të ndërsjellë, shtimin e numrit të vendeve që do të njohin Kosovën si dhe për perspektivën euro-atlantike të dy vendeve tona e të mbarë rajonit.
Gjatë kësaj vizite zyrtare, Presidenti Topi do të zhvillojë takime me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me Zëvendëskryeministrin dhe njëkohësisht Kreun e Aleancës “Kosova e Re”, Behgjet Pacolli dhe me të tjera personalitete të larta shtetërore. Një nga momentet më kulmore të vizitës shtetërore të Presidentit Topi do të jetë mbajtja e fjalës para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Kosovë, Presidenti Topi do të udhëtojë drejt Kompleksit Memorial në Prekaz, ku do të bëjë homazhe për nder të komandantit legjendar Adem Jashari dhe dëshmorëve të tjerë të Kosovës në Glogian, si dhe do të zhvillojë një vizitë në qytetin e Gjakovës.