E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi takon Drejtorin e Përgjithshëm të UNESCO-s, Koiçiro Macura.

12 qershor 2008

Athinë,
Greqi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, në krye të delegacionit zyrtar shqiptar, takoi sot Drejtorin e Përgjithshëm të UNESCO-s, Koiçiro Macura, në kuadrin e Samitit të shtatë të Krerëve të shteteve të Evropës Juglindore.

Presidenti Topi pasi shprehu kënaqësinë për takimin dhe mirënjohjen për rolin e rëndësishëm dhe ndihmesën e vazhdueshme të dhënë nga UNESCO-ja dhe zyra e saj në Venecia për ruajtjen, evidentimin dhe vlerësimin e pasurisë, vlerave kulturore dhe historike të vendit tonë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit afatgjatë dhe të frutshëm mes institucioneve shqiptare dhe UNESCO-s.

Presidenti Topi vlerësoi edhe rolin dhe kontributin personal të Drejtorit të Përgjithshëm Macura në përpjekje për të përfshirë edhe qytetin-muze historik dhe dy mijë e katërqind-vjeçar të Beratit në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, duke shprehur besimin se edhe në sajë të punës dhe përkushtimit të autoriteteve dhe institucioneve shqiptare, ky proces do të kurorëzohet së shpejti me sukses. Në kuadër të këtij bashkëpunimi dhe marrëdhënieve të shkëlqyera me këtë Organizatë, Presidenti Topi e ftoi z. Macura për të vizituar së shpejti Shqipërinë me rastin e përurimit të Shkollës së Restaurimit – ftesë e cila u pranua me kënaqësi.

Gjithashtu gjatë bisedës, kreu i shtetit shqiptar në pah arritjet dhe sukseset e vendit tonë në përmbushje të aspiratave integruese për në strukturat euro-atlantike. Presidenti theksoi se vlerat kulturore dhe shoqërore të popullit shqiptar, ku futen edhe toleranca dhe harmonia ndërfetare, kanë rolin e tyre të rëndësishëm në ndërtimin dhe ruajtjen e urave të komunikimit dhe bashkëjetesës mes popujve dhe vendeve të Ballkanit, i cili pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ka fituar një paqe dhe siguri afatgjatë, duke u projektuar i tëri drejt integrimit në familjen e madhe evropiane.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s, Macura pasi uroi sërish Presidentin Topi për zgjedhjen e tij në krye të shtetit shqiptar, vlerësoi bashkëpunimin e frutshëm dhe të efektshëm me institucionet shqiptare dhe vuri në dukje optimizmin e tij rreth përfshirjes së shpejtë të qytetit të Beratit në Listën e Trashëgimisë Botërore gjatë takimit të Kebekut, që do të zhvillohet në korrik të këtij viti. Z. Macura nënvizoi se UNESCO po punon edhe në një sërë projektesh të rëndësishme në rajon, ku njëri prej tyre është evidentimi dhe ruajtja e monumenteve dhe vendeve kulturore e historike në Kosovë. Drejtori i Përgjithshëm i UNESCO-s theksoi gjithashtu edhe rëndësinë e Samitit të Krerëve të shteteve të Evropës Juglindore që po zhvillohet në Athinë, për rritjen dhe zgjerimin e marrëdhënieve të mira mes vendeve të rajonit, duke vënë theksin në vlerat dhe pasuritë e përbashkëta kulturore dhe historike të popujve ballkanikë, të cilat shërbejnë si hallka lidhjeje dhe bashkimi mes kulturave të ndryshme.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›