Presidenti Topi takon Ministrin e Brendshëm të Kroacisë, Tomislav Karamarko
Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi priti sot Ministrin e Brendshëm të Republikës së Kroacisë, Tomislav Karamarko dhe delegacionin që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.
Në fillim të këtij takimi, Kryetari i Shtetit çmoi marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes dy vendeve tona, të cilat u vunë në dukje dhe gjatë takimit mes Presidentit Topi dhe Presidentit kroat Josipoviç, në ditën e ceremonisë së inagurimit të Presidentit kroat në detyrën e tij të re, duke nënvizuar faktin që dialogu politik është në nivelet më të larta.
Gjatë bisedës, Presidenti i Republikës vuri në dukje se “objektivat e përbashkëta të të dy vendeve partnere dhe aleate tashmë në NATO, për anëtarësim në BE, e bëjnë të domosdoshëm zgjerimin e bashkëpunimit dypalësh në shkëmbimin e përvojës, në bashkërendimin e politikave të përbashkëta, si edhe mbështetjen e ndërsjellë në përmbushjen e objektivave strategjikë të të dy vendeve tona”. Në këtë kontekst, Presidenti Topi nënvizoi faktin se “nëpërmjet bashkëpunimit intensiv për luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe trafikut të paligjshëm do të lehtësohej edhe lëvizja e lirë e njerëzve, çka do të nxiste kontaktet mes popujve tanë, si dhe do t’i japë më shumë shtytje intensifikimit të bashkëpunimit ekonomik e turistik”.
Në këtë kuadër, Ministri i Brendshëm kroat, pasi falenderoi Presidentin Topi për pritjen, theksoi rëndësinë e rifreskimit të marrëveshjes së bashkëpunimit mes dy Ministrive të Brendshme respektive edhe nëpërmjet bashkëpunimit më të ngushtë të ekspertëve dhe shkëmbimit të përvojës reciproke në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, krimit të organizuar dhe trafikimit. Ministri Tomislav Karamarko u shpreh i bindur se bashkëpunimi mes strukturave përkatëse të policisë, shërbimeve të sigurisë dhe atyre informative do të sjellë fryte pozitive duke mundësuar ndërmarrjen e veprimeve konkrete operative.
Nëpërmjet Ministrit të Brendshëm kroat, Karamarko, Kreu i shtetit shqip përcolli përshëndetjet më të përzemërta për Presidentin Josipoviç dhe Kryeministren Kosor duke vlerësuar edhe njëherë nivelin shumë të mirë mes dy vendeve dhe popujve miq.