Shkurtimi i shpenzime, Prifti: Pronat shtetërore do të privatizohen

Ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, bëri të ditur sot se “çdo pronë shtetërore përveçse kaskadës së Drinit, shëndetësisë e arsimit do të privatizohet për të shkurtuar shpenzimet”. Përmes një konference për mediat, ministri i kabinetit qeveritar sqaroi se tashmë është ngritur grupi i punës për të vendosur cilat do jenë asetet që do privatizohen. “Është ngritur një grup i posaçëm pune në drejtimin e kryeministrit për të mbledhur informacione që dorëzohen në METE për të gjitha asetet, ndërmarrjet, që duhet të hyjnë në proces privatizomi”, deklaroi Prifti. Sipas tij, janë mobilizuar 100 persona që do përfshihen në këtë proces, që do merren me vlerësimin e pronave dhe mbështetjes të gjithë procedurës së privatizimit. Ai tha se direktiva është për të privatizuar çdo pronë shtetërore me përjashtim të HEC-eve të kaskadës së Drinit, të shëndetësive e arsimit. “Aksione, ndërmarrje shtetërore, asete dhe prona do vihen në proces privatizimi që shteti dhe qeveria të kursejë më shumë nga shpenzimet e veta. Ne parashikojmë 100 milionë euro kontribut për buxhetin e shtetit nga privatizimi”, deklaroi Dritan Prifti. Nga ana tjetër, ai se Qeveria është e interesuar që biznesi shqiptar të përfshihet në privatin, duke apeluar në këtë mënyrën për përfshirje në këtë proces.