E Diel, 1 Nëntor 2026

Një ekscentrik si E. Rama, a mund të jetë i frymëzimeve demokratike?

Një tekanjoz si Edvini mundi të bëjë karrierë vetëm në një vend si yni. Diktatura e Enver Hoxhës, i vetmi sistem komunist i Lindjes së Europës që nuk deshi (dhe ia arriti) t’i shmanget destalinizimit, që përfshiu të gjithë Europën komuniste pas denoncimit të krimeve të Stalinit nga  Krushovi, në Kongresin XX të Bashkimit Sovjetik, - kjo diktaturë nga më mizoret në Europë e më tej, - e la popullin në mjerim tërësor. Parulla e kohës ishte: -„Edhe bar do të hamë, por parimet nuk i lëshojmë“. Në të vërtetë skamjen e hoqi populli, me tallonat që s’iu ndanë. Ndërsa “Veprat” e E.H.-s, që kishin mbetur stok, i morën përsipër t’i shpërndanin anekënd qylaxhinjtë si Fosko Dinuçi me arapçinjtë e tjerë, që i bënin vakancat e zgjatura beharore në bregdetin tonë, vit për vit. Gratis, kuptohet.

Urrejtja e popullit të terrorizuar nga pesha e tejskajshme e luftës së klasave dhe të leqendisur nga skamja, u dokumentua në sekuencat e reportazheve filmike të rrëzimit të statujave të tiranit në të gjitha skajet e vendit tonë. Tanket dhe qentë e stërvitur të Ramiz Alisë qenë të pafuqishëm të përballeshin me këtë urrejtje të papërmbajtshme. Ortekët e vërshimeve të të vuajturve nëpër ambasadat, hapën një faqe unike të historisë së të gjitha kohëve, duke demonstruar sesa të dëshiruar ishin njerëzit tanë, për të mos ia parë bojën atij regjimi të dhunshëm totalitarist, që i kishte masakruar bijtë e tij. Europa ishte bërë simboli i antitezës ndaj despotizmit enverist. Ramiz Alia u shndërrua në një karikaturë politike, me demagogjinë e tij të pështirë se “s’jemi as lindje, as perëndim!”. Nuk u zgjodh, madje, as deputet. E këputi qafën nga politika aktive, por jo se hoqi dorë nga politika nën rrogoz.

Më sipër folëm edhe për terrorin, për skamjen, për tallonat. Mjerimi ekonomik  bënte një kontrast të thekshëm me vendet ish-komuniste, sidomos pas destalinizimit, që ishte një dukuri e re, dhe jetësoi një frymëmarrje relative në kuptimin e njëfarë lirie të shprehjes, në vendet homologe. Fukarallëku sa zi e më zi s’ka ku të vejë  dhe  dënimi në masë i të pafajshmëve, e drobiti, e trullosi, e bëri me hije popullin e shkretë. Enver Hoxha i bëri anëtarët e Byrosë politike që të flisnin me veten. Palé njerëzit e thjeshtë, që flisnin vetëm për sport! Si satrap, Enveri mundi të rrafshonte edhe fenë. Doemos edhe faltoret. Perëndia ishte ai vetë! Njerëzit nuk bënin asnjë muhabet që të kishte një përmbajtje sado rrëshqitazi politike, as me gruan, as me fëmijët. 

Kjo gjendje i erdhi për osh diktatorit, që të mos bënte destalinizimin në vendin tonë. Bëri në fillim sikur ishte dakord me Krushovin për të rrëzuar kultin e Stalinit dhe për të dënuar krimet e tij. Madje Krushovin e priti si jo më mirë. Por ishin pirueta, sa për t’i hedhur hi syve. Të bënte atë që i kërkohej, ishte si të dorëzonte karrigen. Veçse karrigia për të kishte peshë më të madhe sesa mirëqenia e një populli të tërë.

Mirëqenia? Bah! antonimi i saj ka vlerë politike: skamja, mjerimi ekonomik! A do të mundej kardinali Mindcenti të ruante faltoret po të ishte populli i varfëruar gjer në rasht? - Këtu nuk e gënjente intuita këtë njeri me shpirt diabolik. Populli duhej të ishte si nën drogë, sipas leverdive të tij, që ta tërhiqte prej hunde! 

Dhe erdhi një kohë që ena e mbyllur eksplodoi. Sa më tepër që pistoni ulej në faqet e cilindrit, aq më tepër zvogëlohej vëllimi, aq më tepër shtohej trysnia. Është ligj i fizikës. Dhe statujat e tij gjigante, në të katër anët e vendit, u rrafshuan sikur të ishin prej kartoni! Por Zoti i rremë e kishte lënë litarin jashtë, pas vdekjes: Varfërinë! Dhe padurimin, natyrisht. Pasardhësve të tij shpirtërorë kjo gjendje e re pasdiktatoriale u dha dorë: - Ne jemi të majtë. Ne dimë të përmirësojmë gjendjen. Ne dimë të drejtojmë... Na jepni pushtetin dhe do ta shihni mrekullinë!

Dhe pushtetin e morën me dhunë (1997). Po mrekullia? Të majtët u bënë milionerë! Duke filluar nga analfabetët doganierë, që duheshin shpërblyer për kontributin  bashkë me Komitetet e Shpëtimit Publik, me kallashët që terrorizonin popullsinë. Shkurt: tetë vite të rëndë, amullie, korrupsioni, që Ed Rama i përmblodhi me pesë fjalë: “E kishim hak humbjen e pushtetit”! Me këto fjalë ua përdrodhi tepelekun e kokës këpëdarëve. Dhe u bë kryetar!

*  *  *

Fillimisht e nisi me “antikomunizëm”. Nuk la shpërthime histerike pa shqiptuar kundër Enver Hoxhës, kundër mbylljes që na bëri tirani, kundër lëngimeve që na shkaktoi, kundër kinezëve dhe kundër kinezërive. Buçiti tribuna e improvizuar në shkallët para hyrjes në stadiumin Q. Stafa. Për më tepër kishte shprehur mendime, edhe pas këtij fjalimi për t’i nxjerrë jashtë ligjit komunistët që meritonin t’i trajtonim siç kishte trajtuar Enveri kundërshtarët e vet! Kërkonte të bëhej protagonist i dygishtorëve. Por këta të fundit e njihnin mirë. E dinin se ishte mendje-mendje, me tru të zhvidhosur, si ai boshti me bokull të skaduar, që sillet sa andej-këtej kur rrotullohet. Këtu e ka burimin ajo fjala në titull. 

Kështu mund të shpjegohen ovacionet anakronike ndaj një diktatori në Pezë. Për këto  sfida ndaj demokracisë, përgjegjësia është e tij dhe vetëm e tij. 

Foli gjersa u lodh kundër korrupsionit të tetëvjeçarit. Dhe bëri çmos që të korruptuarit e atij tetëvjeçari të dilnin të palagur. Me ndihmën e Theodhori Sallakut, natyrisht.

Dha shembullin e një korrupsioni të pashembullt në krye të bashkisë. Të licencuarit për ndërtime ishin me kokrra, në morinë e kërkuesve të licencave. Duheshin përzgjedhur, sipas interesave vetjake. I kemi përmendur me emra. Nuk janë pa lidhje nofkat e mister 15 përqindëshit. Koha tregoi se përfitimi vetjak e kaloi këtë përqindje.

Deklaroi me pompozitet se do të respektonte statutin e PS-së nëse do të humbte zgjedhjet e 28 qershorit të vitit 2009. Harroi ç’kishte thënë dhe kishte profetizuar se zgjedhjet i kishte të fituara. Por dardha e kishte bishtin prapa. Komisioni Qendror Zgjedhor e deklaroi të humbur. Fillimisht i lavdëroi komisionerët e tij syçelët. Pastaj i përfoli si të pavëmendshëm, madje i kërcënoi edhe me gjyq! Tani kërkon hapjen e kutive të votimit. Si mund të hapen ato, kur quhen të rregullta nga komisionerët e tij? KQZ-ja, në bazë të këtij fakti ka bërë shpalljen e vendimit përfundimtar, të cilin ai e konteston, se na del mandatprerë! Nëse do të kishte mospranime në formularët e fletëzgjedhjeve, atëherë po, KQZ-ja mund të dekretonte kontrollimin për së dyti të kutisë së votimit. Këtë atribut e ka KQZ-ja. Por ajo votoi në raportin 7:7. Ai, si kryetar i PS-së i ka pasë quajtur të ligjshëm të zgjedhurit e tij për në procesin zgjedhor. Tani ai nuk mund të hedhë poshtë komisionerët socialistë dhe anëtarët e KQZ-së, tre nga të cilët ishin të PS-së! A nuk e kupton ai se zgjedhjet bëhen me delegim? Ata të përfaqësojnë ty, o Edvin. Ti vetë nuk mund të ishe komisioner, se praktikisht do të ishte e pamundshme. Caktove njerëzit më të besuar. Tani ata u mandatuan dhe ky mandat nuk mund të zhbëhet. A nuk kuptohet kjo nga ata që sot, përkohësisht, po të japin të drejtë për një kontrollim të ri? 

Bojkotimi i parlamentit ka disa pika. Përveç asaj që thamë, na përmenden edhe të dalurit nga burgu. Ata quhen propagandistë të së djathtës! Kush i lejon të bëhen të tillë? Do të mjaftonte një zile celulari që të bëheshin të njohur, me emër e mbiemër, që të nesërmen, në gazetat e  Ramës, që i ka nën sqetull! Po, PD-ja përmendi konkretisht njërin, pikërisht ish-bodigardin e Blendi Klosit. Dhe ky na del e na përsërit të njëjtën iso, pa na thënë, më parë, nëse është i vërtetë ky fakt? Madje a është e vërtetë se ish-badigardi theu edhe detyrimin për t’u kthyer në orar në burg, gjë që bëri policinë e burgut që ta kthente vetë, për parregullshmërinë e tij në detyrimin për t’u kthyer në orar! Mos të harrohet, ndërkaq, se në zgjedhjet e kohës së të majtës janë vrarë komisionerë nga fanatikë të ndërliqur, para oborrit të selive të kutive të votimit. Apo demokracia i ka të tepërt ithtarët e saj?

Ata që i mbajnë avazin përkohësisht E. Ramës, kanë filluar t’i ngrefosen edhe faktorit ndërkombëtar, që i ka përcaktuar këto zgjedhje si ndër më të mirat gjer tani. Mos i rren mendja se këto institucione të BE-së dhe personalitetet e SHBA-ve u dashka që të jenë edhe ata në unison me mendimet e përçartura të një personi që kërkon të thyejë statutin e PS-së, vetëm për interesa vetjake?

Fjalët e E. Ramës e kanë humbur gjykimin e shëndoshë. Na flet për demokraci, kur në mbledhjet e veta është antidemokratik. Na flet për transparencë, kur mbledhjet bëhen me dyer të mbyllura. Na flet për fjalën e lirë, kur mendimi ndryshe po ndëshkohet me përjashtim nga partia. Na flet për njohje institucionesh, kur kërkon të bëjë bojkotim të parlamentit. Na flet për standarde e ligjshmëri, kur të mandatuarit e tij në zgjedhje i nxjerr jashtë ligjit! Për më tepër kërkon të bëjë edhe trazira rrugësh, meqë nuk e meriton kreun e PS-së, në bazë të statutit të saj!    

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›