Presidenti Topi uroi ekipin e kombëtares së futbollit për fitore në ndeshjen me Danimarkën

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, gjatë qëndrimit të tij në Kopenhagen, pati dje në mbrëmje një takim të përzemërt me lojtarë dhe drejtues të ekipit kombëtar të futbollit, beri te ditur zyra e shtypit e Presidences. Në një atmosferë të ngrohtë e miqësore, Presidenti Topi bashkëbisedoi me sportistët dhe u informua për përgatitjen e tyre fizike, taktike dhe teknike për ndeshjen që i pret me ekipin përfaqësues të futbollit të Danimarkës. Duke ritheksuar mbështetjen e tij dhe si një dashamirës i futbollit për sfidën e sotme, Presidenti i Republikës i shprehu ekipit tonë kombëtar urimet më të mira për një lojë sa më dinjitoze, me grintë dhe nivel sportiv, që të emocionojë sportdashësit dhe tifozët e shumtë shqiptarë të futbollit, si dhe të përmbushë dëshirën e tyre të zjarrtë për fitore. Në këtë takim, Presidenti Topi konfirmoi dhe pjesëmarrjen e tij në ndeshjen që do të zhvillohet sot në mbrëmje, në stadiumin “Parken” të Kopenhagenit mes përfaqësueseve të futbollit të Shqipërisë dhe Danimarkës, për eleminatoret e kampionatit botëror “Afrika e Jugut 2010”.
...