E Diel, 1 Nëntor 2026

PD - PAA, firmosin marrëveshjen e fitores

Partia Demokratike dhe ajo Agrare Ambientaliste, nënshkruan dje marrëveshjen e bashkëpunimit, për në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Pas nënshkrimit të marrëveshjes, kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, njëkohësisht kryeministër i vendit, tha se marrëveshja elektorale dhe postelektorale me PAA-në shpreh vlerësimin e madh të bashkëpunimit të ngushtë luajal katërvjeçar mes dy partive.

“PD dhe PAA në koalicionin e katër viteve që vijnë nuk bashkojnë vetëm votat dhe besoj se ky koalicion nuk ka qenë një koalicion i diktuar nga votat, por i diktuar nga parimet që këto dy parti ndajnë për dy probleme themelore të vendit, zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe mbrojtjen e mjedisit”, tha Berisha. 

Bashkëpunimi në këtë kuadër, kryeministri tha se ka bërë që Shqipëria të vendoset në klasifikimin e të gjitha vendeve të planetit në pozicionin e 25-të, për sa i takon mbrojtjes mjedisore.

Kryeministri foli dhe për vëmendjen e posaçme ligjore të koalicionit në mbrojtjen e zhvillimin e mjedisit, duke ndërmarrë një seri hapash në zgjerimin e parqeve kombëtare, në mbrojtjen e florës dhe faunës. Kreu i qeverisë vuri në dukje vizionin e përbashkët të koalicionit, që pas fitores të ndërmarrë hapa të tjerë më të mëdha në dy drejtimet themelore, mbrojtjen e mjedisit dhe zhvillimin e qëndrueshëm rural.

Ndërsa kryetari i PAA-së, Xhuveli, aktualisht ministër i Mjedisit, tha se “nënshkrimi i marrëveshjes me PD-në është rrjedhim logjik i një bashkëpunimi katërvjeçar dypalësh.

Ky bashkëpunim rezultoi produktiv, i suksesshëm dhe reciprokisht korrekt, në të gjitha pikat që ne kemi nënshkruar së bashku në vitin 2005. Programi i PAA u integrua tërësisht në programin e qeverisë, që tashmë është zbatuar dhe tejkaluar. U bë e mundur që të rritej pesha e kujdesit për zhvillimin e qëndrueshëm rural dhe bujqësia, sidomos u ridimensionua”, tha ai.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›