Kostoja Mitingu i 8 dhjetorit, kostoja zyrtare 1 milion dollarë
Autori i Lajmit: RedaksiaKostoja zyrtare e mitingut të qeverisë për 8 dhjetorin ka shkuar afro 1 milion dollarë. Në vendimin e qeverisë numër 1191, datë 13.11.2009 është përcaktuar një shtesë fondi në buxhetin e vitit 2009, miratuar, përkatësisht, për Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Ministrinë e Integrimit. Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve i dhanë 35.000.000 lekë, në zërin “projekte kulturore”, për organizimin e veprimtarive kulturore, në kuadër të 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë. Ministria e Integrimit ka marrë 54.175.350 lekë për realizimin, prodhimin dhe transmetimin e spotit publicitar dhe dokumentar, e të tjera në kuadër të 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë.
Vendimi
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 5 dhe 45, të ligjit nr.9936, datë 26.6.2008, “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, dhe të nenit 12, të ligjit nr.10025, datë 27.11.2008, “Për buxhetin e vitit 2009”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Shtetit për Reformat dhe Marrëdhëniet me Kuvendit, Këshilli i Ministrave vendosi ti shtohen Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, 35.000.000 lekë, në zërin “Projekte kulturore”, për organizimin e veprimtarive kulturore, në kuadër të 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë. Sakaq, po sipas këtij vendimi i shtohet Ministrisë së Integrimit shuma prej 54.175.350 lekë, në zërin “Shpenzime operative”, për realizimin, prodhimin dhe transmetimin e spotit publicitar dhe dokumentar, e të tjera, në kuadër të 8 dhjetorit, Ditës Kombëtare të Rinisë. Qeveria nuk e ka bërë publik vendimin e saj të 13 nëntorit i cili ka të bëjë me përdorimin e parave të buxhetit të shtetit për propagandë elektorale dhe qëllime politike. Kjo qeveri ndërkohë është në krizë për të paguar shpërblimet e pensionistëve dhe pagat e buxhetorëve. Vendimi i Qeverisë që mban numrin 1191, datë 13 nëntor 2009 nuk gjendet as në faqen zyrtare të Qeverisë dhe as në fletoren zyrtare. Kjo mungesë e thellë transparence, ka shoqëruar të gjitha vendimet e rëndësishme të Qeverisë për të cilat ajo është akuzuar nga opozita për abuzime. Në asnjë faqe zyrtare dhe asnjë dokument zyrtar, nuk gjenden dot vendimet e Qeverisë për prokurimin e rrugës Durrës-Kukës, vendimet e Qeverisë për Gërdecin, vendimet e Qeverisë për prokurime të ndryshme. Vlera e mitingut të demokratëve për 8 dhjetorin është vlerësuar edhe më shumë nga socialistët. Sipas tyre Qeveria ka çuar dëm plot katër milionë euro për një antimiting për hapjen e kutive të votimit. Akuza është bërë nga deputetët Sajmir Tahiri dhe Blendi Klosi. “Shqiptarët duhet të dinë se kanë paguar nga xhepat e tyre për mitingun e partisë në pushtet, plot 2 milion Euro. Qeveria ka paguar për postera, printime, transport me autobuza dhe reklama ne median e shkruar dhe vizive, afërsisht 1.7 milion euro, koncertin dhe fishekzjarrë afërsisht 228.000 euro. Përveç kësaj kostoje që është kosto e drejtpërdrejtë për organizimin e mitingut, janë edhe 2 milionë euro të tjera, kosto e shkaktuar nga mungesa e punës dhe ofrimit të shërbimeve dje nga administrata publike, rrogat e paguara për një ditë punë të munguar dhe shërbime të paafruara”, - ka pohuar ai. Tahiri ka akuzuar Ekzekutivin si më të korruptuarin në Evropë ndërsa Berishës si Kryeministrin që vë pushtetin në shërbim të interesave të familjarëve dhe ministrave të tij. “Sot, në ditën e luftës kundër korrupsionit, qeveria më korruptuar e Evropës, Kryeministri që korrupsionin e ka kthyer në sistemin e ngushtë prej të cilit përfitojnë familjarët, ministrat dhe sejmenët e pushtetit, qeveria që detyron shqiptarët ti paguajnë me taksat e tyre edhe rrogën e ministrave të korruptuar, që detyron shqiptarët të paguajnë edhe koston e shtuar prej 300 milion eurosh të tunelit të shembur, vodhi dje nga çdo familje shqiptare edhe 2 milion euro të tjera vetëm për të organizuar mitingun e diktaturës qeveritare, jo mitingun e demokracisë qytetare”, - ka deklaruar ai një ditë pas mitingut të demokratëve. Sipas Tahirit këto kosto të çmendura që kjo Qeveri dhe ky Kryeministër ia nxjerr nga xhepi shqiptarëve në këtë kohë krize të thellë ekonomike, janë tërësisht të pajustifikuara për sa kohë vihen në shërbim të partisë në pushtetet dhe kryeministrit ilegjitim në detyrë. “Kosto më e ulët për Sali Berishën dhe shqiptarët është hapja e kutive dhe transparenca e zgjedhjeve të 28 qershorit. Shërbimi i vetëm që mund ti bëj Sali Berisha Shqipërisë, shqiptarëve, demokracisë dhe shtetit ligjor është të hapë kutitë dhe të garantojë leximin e drejtë dhe të saktë të vullnetit të popullit shqiptar”, - përfundoi ai.
Ky lajm është publikuar: 26/12/2009