Presidenti Topi uron Papulias për rizgjedhjen në krye të Greqisë

Tiranë, 4 shkurt, NOA - Presidenti i
Republikës, Bamir Topi, i ka dërguar një mesazh urimi Karolos Papuliasit më
rastin e rizgjedhjes së tij si president i Greqisë. Kam kënaqësinë e madhe që
me rastin e rizgjedhjes suaj si president i Greqisë, në emër të popullit
shqiptar dhe në emrin tim personal, tju dërgoj urimet më të ngrohta dhe më të
përzemërta për suksesin Tuaj në këtë post të lartë, nis ky mesazh i shkruar
nga kreu i shtetit. Më pas, ai i ka pohuar homologut të tij grek bindjen se
niveli shumë i mirë i marrëdhënieve midis vendeve tona, gjatë presidencës së re
të Papuliasit do të vazhdojë të konsolidohet dhe zhvillohet më tej në të
ardhmen, në të mirë të dy vendeve e popujve tanë miq.
Nënvizoj, me këtë rast, rëndësinë e veçantë që Shqipëria i kushton
bashkëpunimit shumëdimensional me Greqinë, jo vetëm si vend fqinjë, por edhe
aleat i ngushtë euroatlantik, dhe shpreh angazhimin tim maksimal për të nxitur
më tej këtë bashkëpunim dypalësh, rajonal e global. Duke ju uruar edhe një herë
suksese në punën tuaj, dhe në pritje të takimit të afërm me ju në Tiranë, ju
lutem pranoni, i nderuar Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të
lartë!, thekson kreu i shtetit shqiptar në mesazhin e urimit ndaj Papuliasit.
n.e/NOA