Presidenti Topi uron besimtarët, për Festën e Pashkëve

Presidenti i Republikës, Bamir Topi u uroi sonte të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, ortodoksë dhe katolikë, kudo që ndodhen: “Gëzuar Pashkët!”
Presidenti Topi i ka dërguar një mesazh urimi Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos dhe Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirditës:
“Në këtë ditë të shënuar dëshiroj t`ju shpreh juve dhe nëpërmjet jush të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe katolikë, urimet më të ngrohta e të përzemërta në ditën e kremtimit të Pashkëve!
Dëshiroj që veçanërisht sot, në këtë festë fetare, në këtë ditë të bekuar, të uroj të gjithë popullin shqiptar për më shumë mbarësi, fat, paqe, mirëkuptim, gëzim e harmoni, si dhe një të ardhme më të begatë e të sigurt!
Kjo ditë e shenjtë që simbolizon ringjalljen e Krishtit, ringjalljen e shpresës për ditë më të mira, le të shërbejë për të gjithë edhe si ditë e reflektimit dhe e inspirimit për të evidentuar e konsoliduar vlerat e vërteta shpirtërore të shoqërisë shqiptare!
Gëzuar dhe njëherë Festën e Pashkëve! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe familjet shqiptare!” theksohet në mesazhin e urimit të presidentit Topi.