E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi uron hapjen e vitit të ri shkollor nga Shkolla 9-vjeçare “Servete Maçi”.

14 shtator 2009

Presidenti i Republikës, Prof .Dr. Bamir Topi së bashku me Zonjën e Parë, Teuta Topi uroi sot nxënësit dhe mësuesit në mbarë Shqipërinë dhe kudo ku mësojnë shqiptarët me rastin e hapjes së vitit të ri shkollor 2009-2010. Kreu i Shtetit shqiptar e bëri këtë urim duke u rikthyer në Shkollën 9-vjeçare “Servete Maçi” ku ka kryer arsimin fillor me rezultate shumë të mira.

Në përshëndetjen e tij, Kreu i shtetit tha:

“Të dashur nxënës,
Të nderuar, të respektuar mësues,
Të nderuar të pranishëm,

Padyshim dita e parë e shkollës e bën njeriun, pavarësisht nga mosha, të përjetojë emocione të veçanta. Emocione të veçanta përjetojnë nxënësit, sidomos ata që ulen për herë të parë në bangat e shkollës, por jam i bindur se emocione shumë të forta përjetojnë edhe prindërit e tyre. Emocione të forta përjetojnë mësuesit sepse të gjithë së bashku mendojnë për fëmijët e tyre, për brezin që rritet, sepse sikurse e kanë thënë shumë politikanë dhe mendimtarë, ‘nëse dëshiron të shohësh të ardhmen e kombit, vlerëso të tashmen e fëmijëve’. Padyshim kjo ditë është jo vetëm simbolike, por është shumë motivuese, për të gjithë ne që festojmë së bashku fillimin e mbarë të vitit të ri akademik 2009-2010.

Nuk mund ta fsheh, për mua ka një emocion shumë të fortë, sepse në këtë shkollë, në këtë oborr kam kaluar 8 vitet e jetës time shkollore dhe padyshim njeriu në jetë merr shumë çertifikata, por e paharruar mbetet dëftesa e klasës së parë ku dy emra janë memorizuar për të mos u harruar përjetë: mësuesja e parë Meropi Bardhi dhe drejtori i shkollës Nazmi Duhanxhiu. Gjatë jetës time në këtë shkollë kam pasur shansin që të mësohem, të edukohem nga mësues të përgatitur, të talentuar, nga njerëz shumë të dashur, të cilët përbënin binomin prind-mësues dhe padyshim për çka kemi arritur, dhe këtë e them jo vetëm në emrin tim, por në emër të të gjithë brezave që kanë kaluar në këtë shkollë, ne u jemi shumë mirënjohës.

Kjo shkollë, ky oborr natyrisht që nuk do të kishte aspak bukuri në rast se nuk do të kishin këto zëra gazmorë, të shkujdesur të klasave të para, të cilët ndonëse sot janë të vegjël dhe nuk e kuptojnë si duhet rolin e shkollës, dita-ditës do të arrijnë të mësojnë nëpërmjet prindërve, nëpërmjet mësuesve që në shkollë mësohet si të bashkëjetohet, sesi kultivohet diskutimi dhe sesi përvijohet debati. Natyrisht, shkolla është vendi ku përgatitet e ardhmja e vendit tonë, padiskutim një e ardhme e ndritur, një e ardhme europiane. Shkolla është vendi, ku ndonëse shkohet me emocione, edukimi mbetet shoku i vetëm. Vetëm nëpërmjet shkollës fëmijët tanë do të bëhen të ditur, do të marrin rrugën e jetës, do të shkojnë nëpër profesione të ndryshme dhe do të bëjnë të mundur që Shqipëria, në vitet që vijnë të jetë më e përparuar, të jetë absolutisht një vend me të gjitha të drejtat e familjes europiane.

Nëpërmjet këtij mikrofoni, nëpërmjet medias unë dëshiroj të jap një mesazh për të gjithë shqiptarët kudo ku jetojnë, sepse sot jeta e ka sjellë që shqiptarët jo vetëm të studiojnë në Shqipëri, por edhe në diasporë, të studiojnë në Kosovë, Maqedoni në Mal të Zi, në SHBA, kudo në Europë. U uroj atyre një vit të mbarë shkollor, ta mbajnë të gjallë gjuhën shqipe, ta kultivojnë literaturën që vjen nga Shqipëria, të mësojnë që rruga e arsimit shqiptar ka qenë jo e lehtë, por sot janë të gjitha mundësitë që nxënësit shqiptarë, qytetarët shqiptarë të jenë në standardet e qytetarëve europianë. Institucionet e Shqipërisë, kanë një politikë të veçantë për intensifikimin e reformave në fushën e arsimit dhe unë jam i bindur se sikurse janë bërë, shumë gjëra do të bëhen edhe në të ardhmen. Edhe një herë të dashur nxënës, të nderuar mësues, të nderuar prindër dëshiroj të uroj që të keni shëndet dhe mbi të gjitha të keni kënaqësi duke parë çdo ditë fëmijët tuaj të rriten e edukohen në këtë shkollë të nderuar dhe në të gjitha shkollat e Shqipërisë.
Ju falemnderit!

Më pas, Presidenti i Republikës dhe Zonja e Parë, së bashku me anëtarë të kabinetit, të shoqëruar nga drejtoresha e Shkollës, Benereta Buxhuku, nga mësuesi më i vjetër në moshë, Bato Gashi, mësuesja e parë e Kryetarit të Shtetit, Meropi Bardhi dhe mësues e drejtues të tjerë të shkollës, vizituan bibliotekën duke u takuar e përshëndetur përzemërsisht jo vetëm me nxënësit, por edhe me mësues të vjetër, të dalë tashmë në pension dhe duke u shprehur atyre urimet më të mira dhe mbështetjen institucionale për arsimimin e brezave të rinj.

Kryetari i Shtetit u interesua për mbarëvajtjen e procesit mësimor, dhe u informua nga drejtoresha e shkollës dhe mësuesit lidhur me ndryshimet e kryera në këtë shkollë, që ka si profil të vetin muzikën, për përmirësimin e mjediseve të saj, për tekstet e reja e procesin e mësimdhënies, si dhe ndoqi me interes fillimin e një ore mësimi të klasës së parë, ku një nxënëse luajti një pjesë muzikore në piano.

Presidentit Topi dhe Zonja e parë ndoqën një koncert të shkurtër me këngë e interpretime të nxësësve të kësaj shkolle të cilët i dhuruan Kryetarit të Shtetit një çelës soli, si simbolikë e profilit muzikor të shkollës.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›