E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi uron të gjithë besimtarët e krishterë shqiptarë me rastin e Festës së Pashkëve

23 prill 2011

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi u uroi sonte të gjithë besimtarëve të krishterë shqiptarë, ortodoksë dhe katolikë, kudo që ndodhen: “Gëzuar Pashkët!”

Presidenti Topi i ka dërguar një mesazh urimi Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe të gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Janullatos dhe Kryetarit të Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë, Imzot Rrok Mirditës:

“Në këtë ditë të shënuar dëshiroj t’ju shpreh juve dhe nëpërmjet jush të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe katolikë, urimet më të ngrohta e të përzemërta në ditën e kremtimit të Pashkëve!

Dëshiroj që veçanërisht sot, në këtë festë fetare, në këtë ditë të bekuar, të uroj të gjithë popullin shqiptar për më shumë mbarësi, fat, paqe, mirëkuptim, gëzim e harmoni, si dhe një të ardhme më të begatë e të sigurt!

Kjo ditë e shenjtë që simbolizon ringjalljen e Krishtit, ringjalljen e shpresës për ditë më të mira, le të shërbejë për të gjithë edhe si ditë e reflektimit dhe e inspirimit për të evidentuar e konsoliduar vlerat e vërteta shpirtërore të shoqërisë shqiptare!

Gëzuar dhe njëherë Festën e Pashkëve! Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe familjet shqiptare!” – theksohet në mesazhin e urimit të Presidentit Topi.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›