Presidenti Topi uron z. Basesku me rastin e rizgjedhjes në postin e Presidentit të Rumanisë.

5 janar 2010
Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka dërguar një mesazh urimi z. Traian Basesku me rastin e rizgjedhjes në postin e Presidentit të Rumanisë, në të cilin shkruan:
“I nderuar zoti President,
Rizgjedhja Juaj në postin e Presidentit të Rumanisë, më jep kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell urimet e sinqerta dhe të përzemërta për suksese në këtë detyrë të lartë!
Ashtu si deri tani, kam bindjen se marrëdhëniet miqësore dhe lidhjet tradicionale shqiptaro-rumune do të vazhdojnë të zhvillohen dhe forcohen në të gjitha fushat, duke i afruar më shumë vendet tona, njerëzit dhe qytetarët tanë, për të ndarë së bashku zhvillimet e përbashkëta dhe vlerat evropiane.
Dëshiroj, me ketë rast, të sjell në vëmendjen tuaj se vendi im dhe qytetarët shqiptarë, duke vlerësuar shumë mbështetjen e Rumanisë dhe tuajën personale në anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO, kanë gjithashtu besim në vazhdimësinë e kësaj mbështetje edhe për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Duke Ju uruar edhe një herë suksese në punën tuaj, ju lutem pranoni, i nderuar zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!”