Presidenti Topi viziton Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumtërinë e Tij, Anastas Janullatos me rastin e Krishtlindjes.

25 dhjetor 2009
Me rastin e Festës së Krishtlindjes, Presidenti i Repubikës, Prof. Dr. Bamir Topi dhe Zonja e Parë Teuta Topi vizituan sot Kryepeshkopin e Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumtërinë e Tij, Anastasios Janullatos, të cilit i shprehën urimet më të ngrohta e të përzemërta në këtë ditë të shenjtë për besimtarët e krishterë dhe i dhuruan një foto të Kreut të shtetit së bashku me katër drejtuesit e bashkësive fetare shqiptare, simbol i qartë i harmonisë dhe bashkëjetesës së përkryer fetare karakteristike për kombin tonë.
Për të gjithë besimtarët shqiptarë të krishterë kudo ndodhen, urimet më të mira për shëndet, mirësi e harmoni, Presidenti Topi i shprehu përmes mediave edhe një herë në përfundim të kësaj vizite: “Gëzuar të gjithë besimtarëve të krishterë! Është një ditë e madhe, një ditë e shenjtë! Është një ditë kur të gjithë pa përjashtim, pavarësisht besimit të tyre fetar duhet t’i ofrojnë njëri-tjetrit mirësi, paqe dhe dialog. Kjo vlen për të gjithë, pavarësisht nga profesionet që mbulojnë. Pra vlen për të gjithë, nga më të vjetrit tek më të rinjtë më shumë komunikim njerëzor, sepse kjo është shumë e rëndësishme për një vend, i cili po projektohet në Evropën moderne. Edhe juve gjithashtu ju uroj këtë Festë dhe ju uroj edhe Festën e Vitit të Ri!”