Basha shkon +39, PS bllokon rrugët në jug
Kandidati demokrat për Bashkinë e Tiranës, Lulëzim Basha thellon avantazhin e vet kundrejt kundërshtarit të tij socialist, Edi Rama, në garën për Bashkinë e Tiranës. Kur janë numëruar votat e hedhura gabim të 52 qendrave të votimit, Basha ka siguruar një avantazh në total prej 39 votash ndaj Ramës, ndërsa pritet që ky rezultat të thellohet edhe më tej gjatë ditës së sotme, ku janë parashikuar që të numërohen edhe rreth 30 kuti të tjera. Ashtu si edhe një ditë më parë, opozita ka kundërshtuar ashpër këtë proces, duke akuzuar anëtarët e djathtë të KQZ se po i japin kandidatit demokrat fitoren në tavolinë, ndërsa kanë hedhur dyshime se kutitë që po hapen janë hapur një herë më parë në magazinat e këtij institucioni.
Debati
KQZ ka vijuar dje për të dytën ditë radhazi procesin e numërimit të fletëve të votimit për kryetar të bashkisë dhe këshillit bashkiak të kryeqytetit. Nën mbrojtjen e forcave të shumta të policisë, KQZ ka vijuar me një ritëm të lartë numërimin e këtyre votave, ndërsa përfaqësuesit e majtë në të, kanë kërkuar që në hapje të mbledhjes që t’i vihej në dispozicion vendimi me të cilin ky institucion po hapte kutitë e votimit për njësitë e Tiranës. “Zoti kryetar, dua aktin që autorizon KQZ që të veprojë si KZAZ dhe të hapë kutitë e votimit. Kjo më duhet për të pasur mundësi që ta godasim këtë vendim në Kolegj dhe jo për t’ju kundërshtuar juve këtu, se tashmë ju e keni ndarë mendjen që të vazhdoni këtë punë kriminale deri në fund”, - tha përfaqësuesi socialist, Genci Gjonçaj. Por kreu i KQZ-së, Arben Ristani, ka sqaruar se vendimi në fjalë do mund të merret vetëm në fund të numërimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara, pasi sipas tij akti është i hapur dhe çdo kuti që hapet ka një vendim të veçantë, që është pjesë përbërëse e këtij vendimi. “Kemi miratuar një akt në parim dhe po miratojmë çdo ditë nga një pikë të aktit, deri sa të shkojmë në aktin final. Kur ta miratojmë në tërësi do ua japim”, - tha Ristani.
Numërimi
Pavarësisht kundërshtimeve, KQZ ka vazhduar punën për hapjen e kutive dhe numërimin e votave të gjendura në kutitë e gabuara nga grupet e numërimit. Në total gjatë ditës së djeshme janë hapur 31 kuti, disa nga të cilat nuk kanë dhënë vota të vlefshme. Edhe gjatë ditës së djeshme, ky proces ka nxjerrë mangësi të mëdha të procesit të votimit apo numërimit të votave nga GNV-të. Rasti më flagrant gjatë ditës së djeshme ka qenë ai i kutisë me numër 1797, ku është gjetur një fletë votimi e qendrës 1810/1. Anëtarët e djathtë të KQZ-së e kanë konsideruar fillimisht fletën e votimit të vlefshme, por përfaqësuesit socialistë kanë evidentuar se vula që mbante kjo fletë nga prapa ishte e një qendre tjetër votimi. Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të socialistëve, të cilët kanë theksuar se kjo është një provë e qartë që vërteton manipulimin e gjithë procesit zgjedhor nga ana e mazhorancës. Por sipas demokratëve, gjetja e kësaj flete votimi në këtë kuti është përgjegjësi e socialistëve, të cilët kishin shumicën në KZAZ. Ndërkohë që për të gjitha kutitë e tjera të hapura, anëtarët e majtë të KQZ-së, si dhe përfaqësuesit juridikë të partive opozitare, kanë kundërshtuar fletët e votimit dhe vlerësimin e votave të bëra nga demokratët, duke aluduar për një proces të përgatitur në ambientet e KQZ-së. Gjithashtu ata edhe dje kanë argumentuar se nga ana ligjore, një veprim i tillë është i paligjshëm, teksa kanë këmbëngulur se KQZ nuk mund të luante rolin e një KZAZ-je që të bënte vlerësimin e votave. Megjithë kontestimet e çdo kutie, në fund të ditës, kandidati Basha ka marrë 34 vota ndërsa Rama vetëm 16. Në total për të dyja ditët Basha ka siguruar 80 vota ndërsa Rama 31, duke e çuar diferencën totale të procesit të zgjedhjeve për Tiranën, në plus 39 vota për kandidatin e djathtë.