E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti Topi zhvillon një takim me përfaqësues të pushtetit vendor në Vlorë.

4 tetor 2007

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka vizituar Bashkinë e qytetit të Vlorës, ku është pritur që në hyrje nga Kryetari Shpëtim Gjika.

Gjatë takimit me stafin drejtues në zyrën e kryetarit të Bashkisë, Presidenti Topi vërejti se bashkëjetesa qytetare, që është mjaft e rëndësishme, konstatohet lehtë sot në Vlorë, në këtë qytet me shumë traditë dhe i dashur për të gjithë. Duke shprehur besimin se Vlora do të vazhdojë të jetë një model i bujarisë, historisë, por edhe asaj që projektohet për të ardhmen, Presidenti i Republikës nënvizoi se “në linjën e decentralizimit janë bërë hapa para, por duke e përsosur këtë linjë edhe ju do të keni mundësinë që të fuqizoheni më shumë”. Në të njëjtën kohë z. Topi i ka uruar z. Gjika dhe stafit drejtues të Bashkisë së qytetit suksese në mbarëvajtjen e punëve, pasi Vlora e meriton të jetë një qytet i të gjitha përmasave.

Kryetari i Bashkisë, Shpëtim Gjika i uroi Presidentit Topi suksese në detyrën e vështirë dhe fisnike të Kryetarit të Shtetit, duke shprehur bindjen në realizimin më së miri të saj, për shkak të angazhimit personal, por edhe të traditës familjare të z. Topi. “ Ju falenderoj në radhë të parë për interesimin për qytetin e Vlorës, si edhe për angazhimin tuaj personal dhe insituticional për të vazhduar në rrugën e decentralizimit të pushtetit vendor. Më lejoni që, duke qenë se jemi në pritje të 95-së vjetorit të Pavarësisë, t’ju mirëpres dhe t’ju ftoj në datën 28 Nëntor të jeni në Vlorë, për të marrë pjesë në kremtimet madhështore”, - u shpreh z. Gjika. Gjithashtu, ai i dhuroi Presidentit Topi edhe Emblemën e qytetit të Vlorës, si simbol të lidhjes jo vetëm nga pikëpamja njerëzore, por edhe institucionale për të vazhduar bashkëpunimin për prosperitetin e qytetit të Vlorës në të ardhmen.

Ndërsa, Kreu i Shtetit e pranoi ftesën për t’u rikthyer në Vlorë më 28 Nëntor me rastin e 95-së vjetorit të ngritjes së Flamurit.

Më pas, Presidenti ka zhvilluar një takim me Kryetarin e qarkut të Vlorës, Agron Sharra dhe anëtarë të tjerë ku ka vlerësuar se: “ Qarku i Vlorës çdo ditë e më shumë po ridimensionohet dhe po merr vlera të reja në administrimin e pjesës ndoshta më të bukur të Shqipërisë. Nga pikëpamja fizike, gjeografike, nga pikëpamja eko-turistike, qarku i Vlorës spikat me karakteristika të pakrahasueshme. Përveç brigjeve të mrekullueshme, Vlora të ofron edhe një panoramë tjetër sa i përket zhvillimit ekonomik, të bujqësisë, të frutikulturës, blegtorisë dhe i gjithë ky zhvillim harmonik, ka nevojë të futet në plane të sakta, rigoroze të Këshillit të Qarkut, aty ku ekzistojnë të gjitha vullnetet politike, pluraliste, ku vendoset fati i politikave të decentralizimit e ku edhe ju çdo ditë e më shumë do të merrni kompetenca të reja. Karta e Autonomisë Lokale e ratifikuar nga Parlamenti shqiptar vite më parë, hap pas hapi po gjen zbatim edhe në implementimin e ligjeve që kanë dalë nga Parlamenti shqiptar, si ligji organik i decentralizimit, transferimi i pronave, decentralizimi fiskal dhe ju, me të gjitha mundësitë që keni dhe atdhedashurinë që ju karakterizon për vendlindjen tuaj, për Vlorën, do të dini të bëni politika afatgjata, që të zhvillohen aktivitetet ekonomike pa prishur mjedisin”.

Në përfundim, z. Topi nënvizoi se për të arritur këtë zhvillim, nevojiten studime dhe kohezione të duhura politike për të ardhmen e brezave, për të cilën vihet re qytetaria dhe i gjithë motivimi i duhur. “E ardhmja e Vlorës është optimiste, por kjo do kërkojë angazhimin e të gjitha insitucioneve”, - u shpreh Presidenti.

Mesazhe të njëjta për nevojën jetike të bashkëpunimit mes përfaqësuesve të pozitës e opozitës për të ardhmen e Vlorës, Presidenti Topi ka përcjellë edhe në takimin me anëtarët e Këshillit bashkiak të qytetit, të cilët i ka inkurajuar të jenë ndërmjetësues të mirëfunksionimit të bashkëpunimit mes qeverisë qendrore dhe asaj vendore. “Është e domosdoshme që të mos ketë ndarje në vendimmarrje", - është shprehur Presidenti. "Duhet shkuar tek një produkt harmonik, pasi ju duhet të merrni më shumë hapësirë në vendimmarrje”.

Në mbyllje të takimit me të zgjedhurit vendorë, Kreu i Shtetit u ka dhënë atyre vlerësimet për vizitën e ditës së sotme në Vlorë:

“Përpara se të largohem, ju jap një impresion për mikpritjen vlonjate që ndjehet hap pas hapi dhe për atë që lexohet në sytë e çdo qytetari vlonjat: realizmin për qytetin, për zhvillimin në këtë zonë, në qarkun e Vlorës, por edhe optimizmin për të ardhmen. Jam mjaft i nderuar edhe me shoqërinë e përfaqësuesve të institucioneve të Vlorës, por edhe në shoqërinë e deputetëve qoftë të opozitës, qoftë të mazhorancës, ç’ka presupozon një premisë shumë të rëndësishme për të ardhmen e kësaj zone të mrekullueshme”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›