E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti afgan: Forcat amerikane vranë 16 civilë

Hamid Karzai, Presidenti i Afganistanit dënoi dje një operacion ushtarak amerikan për shkak të të cilit gjetën vdekjen 16 civilë afganë, ndërkohë që qindra fshatarë vendas demonstruan kundër forcave të armatosura amerikane në një protestë të ashpër të zhvilluar po gjatë ditës së diel. Karzai vërejti se vrasja e afganëve të pafajshëm gjatë operacioneve ushtarake amerikane "po forcon pozitat e terroristëve".

Presidenti afgan vërejti gjithashtu, se Ministria e Mbrojtjes së vendit të tij i ka dërguar Uashingtonit një draft teknik ku kërkohet kontroll më i madh ndaj operacioneve ushtarake amerikane. I njëjti dokument iu dërgua edhe Shtabit të Përgjithshëm të forcave të NATO-s.

Hamid Karzai i ka shtuar së tepërmi javët e fundit qëndrimet kritike kundrejt mbështetësve perëndimorë lidhur me viktimat civile, ndërkohë që politikanët amerikanë dhe një ushtarak i lartë i NATO-s kanë kritikuar publikisht progreset e pakta që ka bërë ky vend. Polemikat me tone të larta këmbehen në një çast kur administrata e Presidentit Obama duhet të vendosë nëse do të vazhdojë të mbështesë Karzain në përpjekjet për t‘u rizgjedhur në postin e kreut të shtetit në zgjedhjet që do të mbahen gjatë këtij viti.

Zemërimi i fundit i Karzait vjen pas një operacioni të forcave USA në provincën Lagman, ku sipas amerikanëve u vranë 15 militantë të armatosur, përfshi edhe një grua, fakt që hidhet poshtë nga zyrtarët afganë, sipas të cilëve qenë të gjithë civilë. Në një deklaratë, Karzai njoftonte se mes 16 civilëve të vrarë gjendeshin dy gra dhe tre fëmijë.

Në kryeqendrën e provinës qindra banorë të zemëruar demonstruan të dielën kundër forcave të armatosura amerikane dhe kërkuan ndërprerjen e sulmeve të papritura gjatë netëve. Liderët ushtarakë amerikanë, të afërmit e viktimave dhe zyrtarë afganë - përfshi edhe dy këshilltarë të Karzait - u takuan në zyrën e guvernatorit të provincës për të diskutuar mbi ngjarjen. "Forcat e armatosura na shprehën keqardhjen e thellë lidhur me ngjarjen dhe premtuan se pas kësaj do të koordinojnë operacionet me forcat tona", tha një prej afganëve të pranishëm në takim.

Numri i lartë i viktimave civile gjatë operacioneve luftarake ka qenë një pikë e nxehtë debati mes qeverisë afgane dhe koalicionit perëndimor ushtarak që operon në këtë vend. Shumë prej vdekjeve të civilëve janë regjistruar gjatë sulmeve të ndërmarra netëve nga forcat speciale amerikane. Skuadra e hetimit që do të shqyrtonte ngjarjen të dielën u detyra ta shtynte vizitën në zonën në fjalë për shkak të kohës së keqe.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›