E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, akuza klaneve që sulmojnë figurën e Skënderbeut

>Topi:Kush vë në diskutim veprën e heroit është  me mendje të robëruar dhe guxim regresiv

Gjatë pjesëmarrjes në Konferencën Kombëtare Familjet e Mëdha Fisnike Shqiptare, Presidenti i Republikës Bamir Topi,  akuzoi personazhet të cilët vënë në diskutim veprën e heroit tonë kombëtar Skënderbeu si njerëz me mendje të robëruar dhe guxim regresiv. Presidenti i  Republikës,  megjithëse me vonesë është kujtuar të reagojë kundër zërave të cilët janë munduar të çmitizojnë figurën historike të heroit tonë kombëtar. Duke akuzuar lançuesit e idesë së çmitizimit të Skënderbeut, zoti Topi, rikthen sërish në qendër të debatit librin e autorit Shmid të përkthyer nga Ardian Klosi, njeriu që e mbron me zell teorinë e çmitizimit të Skënderbeut, megjithëse është thjesht një përkthyes. Duke ju referuar debatit të ditëve të fundit, presidenti Topi tha se: Ndokush mund të ketë xhelozi për heroin tonë kombëtar, për bëmat, famën, marrëdhënien, që ai ndërtoi me kombin e tij dhe Evropën ushtarake e politike të kohës duke u përpjekur sot ta ridimensionojnë atë. Ai nuk iu ofrua historisë si personazh i letërsisë, por historia dhe personaliteti i tij dominues në epokën kur jetoi, të qenit mbrojtës dhe jo zaptues, të qenit konsekuent në filozofinë e lirisë, të qenit në anën e drejtë e bënë atë lëndë për qindra e mijëra libra, që u shkruan gjatë shekujve. Ndonjë mendje e robëruar, e pajisur me një guxim regresiv, përpiqet sot të tjetërsojë rolin e Skënderbeut në historinë tonë apo në historinë e qytetërimit Evropian. Kjo është një përpjekje e mjerueshme, sepse historia nuk pranon leksione, ajo jep leksione. Hipotezat e humbasin terrenin përballë fakteve. Interpretimi kërkon moralitet të lartë dhe profesionalizëm.
Unë jam i bindur, -tha Topi, që e gjithë fisnikëria historike, si dhe ato familje që iu bashkangjitën asaj me gjeste të rralla patriotizmi, heroizmi, mençurie apo aksion politik në shërbim të lirisë kombëtare, të Pavarësisë së Kosovës dhe prosperitetit të kombit, në kohë të vjetra dhe të reja, dëshmojnë që Skënderbeu, Kryefisniku është kudo, tek çdo shqiptar, si ideal dhe si realitet.  Duke u përqendruar gjatë fjalimit të tij rreth figurës së Heroit tonë Kombëtar, presidenti i Republikës ka ngritur në piedestal figurën e tij duke bërë një lloj referati historik rreth veprës së tij. Fan Noli, që dha e mori me të gjatë, thuajse tërë jetës, pohoi aty nga fundi i saj: Nganjëherë pyes veten nëse mund të ketë sot ndonjë njeri që të jetë po aq i gjallë sa Skënderbeu?
Ndërjihë që sipas Topit,  efektet e këtij kontributi nuk u zbehën asnjëherë, ato ishin brumi i Rilindjes kombëtare deri në nëntorin e vitit 1912, në përpjekjen sublime për Pavarësi dhe shtet shqiptar, thelbi i identitetit kombëtar dhe i vetëdijes bashkëkohore. Gjithashtu gjatë fjalës së tij Topi shprehu se,  ideja e luftës çlirimtare me Skënderbeun, u bë realitet madhështor, e njëkohësisht trashëgimi shpirtërore, me të cilën përballuam sfidat e rënda të kohërave. Ai realizoi të parin bashkim politik dhe ushtarak të arbërve në Kuvendin e Lezhës. Aktiviteti i tij dhe rezistenca ndaj pushtuesit, e vunë atë në ballë të koalicionit antiosman. Lufta Skënderbegiane buronte prej vetëdijes, se pushtimi osman do të tjetërsonte vlerat kombëtare dhe do ta shkëpuste vendin nga Evropa. Ai nuk pati parësore principatën e tij, por bashkimin e Arbërisë. Epopeja e tij është pasqyrim i dëshirave të shqiptarëve, dhe jo i interesave të tij personale. Qëndresa 25-vjeçare rrezatohet edhe në shekujt e mëvonshëm si nënvetëdije popullore, si folklor, si rrëfim i pandërprerë dhe ushqen herë pas here kryengritje të reja. Lufta për lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës u frymëzua edhe nga kujtimi i Heroit. Më tej ai tha se, dokumentet arkivore, vlerësimet e bashkëkohësve si Papët e Romës, apo familjet mbretërore, me të cilat ai ishte në aleancë e bashkëpunim, ato të Humanizmit dhe Iluminizmit Evropian, tekstet e historiografive më në zë të kohërave janë për ne, një burim i ligjshëm krenarie dhe sasi e bollshme informacioni për një histori objektive të këtij burri, që u bë shpirti i historisë së Mesjetës. Mjafton të sjellim ndërmend Volterin, që nga katedrat e Parisit u kujtonte bashkëkohësve se: Në qoftë se perandorët bizantinë do të kishin qenë Skënderbegë, Perandoria e Lindjes do të ishte ruajtur. Kjo për të kuptuar se sa i gjerë është areali Skënderbegian. Gjatë fjalës së tij Topi shprehu se, janë të shumta përkufizimet dhe vlerësimet për Skënderbeun si strateg, si njeri i politikës dhe i diplomacisë, por ne, shqiptarët e sotëm duhet të reflektojmë thellë, për idealin e tij atdhetar, si një cilësi që edhe sot në kohët moderne, përcakton fizionomitë politike të burrave të shtetit. Sot shqiptarët në të gjithë hapësirën ballkanike, e shohin Skënderbeun dhe Arbërinë e tij, si një model të madh integrues në familjen e popujve të Evropës së bashkuar. Falë tij,-deklaroi ai, historia jonë e asaj periudhe është pjesë e lavdishme e historisë së Evropës e sigurisht Skënderbeu, një personazh shumë i spikatur i saj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›