PD: Edi Rama është falsifikator dhe shpifës
>Pas akuzave të bëra nga Erion Braçe në drejtim të Sali Berishës për grabitje tokash, ka reaguar menjëherë zyra e shtypit e PD. Në deklaratën e saj për shtyp PD akuzon Edi Ramën si manipulator të fakteve dhe provave, duke kërkuar nga ai të jetë më i qartë në akuzat e tij.
Sot Edi Rama, nëpërmjet yllit të shndritshëm të politikës së re, Erion Brace, nxori në treg shpifjen dhe trillimin e ditës, për grabitje tokash në rrethe të ndryshme të vendit. Pa përmendur autor, pa përmendur emra, por vetëm pushtetarë të PD-se, paçka se në këto qytete në pushtet është Partia Socialiste. Këto shpifje dhe trillime nuk janë të rastësishme, por janë të mirëkalkuluara, sepse verifikimi i titujve të pronësisë, do të nxjerrë në pah abuzimet e mëdha të qeveritarëve dhe pushtetarëve me tokat dhe pronat e qytetarëve. Ndaj ligjit të verifikimit të titujve të pronësisë, z. Rama, votoi kundër miratimit të tij. Pikërisht se i trembet zbatimit të tij, që do të zbulojë vjedhjet dhe abuzimet me qindra e qindra hektarë tokë në zonat turistike dhe zona të tjera të vendit, shkruhet në deklaratën për shtyp të PD.