E Diel, 1 Nëntor 2026

Bashkia e Vlorës akordon 32 milionë lekë për rrugën në hyrje të qytetit

>Projekti i zgjerimit dhe rikonstruksionit të një segmenti rrugor, në hyrje të qytetit të Vlorës do të kushtojë 32 milionë lekë. Projekti financohet nga fondet e bashkisë dhe pritet të përfundojë në muajin shkurt. Nënkryetari i kësaj bashkie, Halim Dervishaj, bëri të ditur se projekti parashikon zgjerimin dhe rindërtimin e një rruge me gjatësi 275 metra dhe gjerësi 15 metra, e cila nis nga Parku i Autobusëve Urbanë dhe përfundon tek kryqëzimi pranë godinës së shkollës së mesme të përgjithshme Halim Xhelo. Në këtë projekt, përfshihen edhe ndërtimi i trotuareve në të dy anët e rrugës, me gjerësi 4.5 metra secili, si dhe zëvendësimi i linjave të ujësjellësit, sistemi i kanalizimeve, ndriçimi, gjelbërimi, plotësimi i sinjalistikës horizontale e vertikale, etj. Sipas tij, për ndërtimin e rrugës u prenë rreth 20 palma mbi 50 vjeçare, të cilat në përfundim të punimeve, do të zëvendësohen me të tjera. Zgjerimi i kësaj rruge pritet të ndryshojë pamjen e hyrjes të qytetit të Vlorës, ndërkohë që do të lehtësojë qarkullimin e automjeteve. Në gjendjen e saj aktuale, kjo rrugë e ngushtë dhe e amortizuar, ishte shndërruar në një shqetësim për drejtuesit e automjeteve, veçanërisht në periudhën e verës, kur fluksi i lëvizjes është i lartë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›