E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti akuzon numrin 2 të organizatës

Afganistan Karzai kundër OKB: Ajo organizoi manipulimin e votës presidenciale

Presidenti i Afganistanit, Karzai, ka akuzuar vëzhguesit e huaj të zgjedhjeve presidenciale për manipulime dhe mashtrime gjatë procesit zgjedhor të vitit të kaluar. Sipas tij, mashtrimet ishin shumë të përhapura, por shkaktarë të kësaj situate ishin të huajt që ndodheshin në vend për të vëzhguar zhvillimin e procesin zgjedhor. Për Karzain, ata që ishin në qendër të këtyre falsifikimeve ishin zyrtarët e OKB-së. Ai madje përmendi edhe zëvendësin e misionit të OKB-së në Afganistan, Peter Galbraith, i cili, sipas tij, ishte një nga organizatorët kryesorë të vjedhjeve të votës. Sipas Presidentit, zyrtari i lartë i kishte ofruar detaje medias ndërkombëtare në një tentativë për të përkeqësuar situatën. Ndërkohë, vetë zyrtari ka deklaruar se asnjë nga thëniet e Karzait nuk është e vërtetë. Vetë Galbraith, një ish-diplomat amerikan, u hoq nga kjo detyrë pas akuzave ndaj OKB-së, se ajo nuk po bënte maksimumin e saj për të ndaluar vjedhjen e votave nga ana e pretendentëve presidencialë. Sipas tij, akuzat e Karzait bëhen për të mbuluar të vërtetën e hidhur të vjedhjeve, të cilat në fakt i bëri vetë njeriu që ndodhet në krye të Presidencës. Aktualisht Karzai ndodhet i ngërthyer në një luftë për pushtet me Parlamentin, në lidhje me caktimin nga ana e tij e të gjithë vëzhguesve në proceset zgjedhore. Ai nuk është shpallur fitues në raundin e parë të zgjedhjeve, por në raundin e dytë fitoi dhe më pas u përball me shumë debate që ia vunë në dyshim postin.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›