Policia, me 42 minoritarë me grada të larta në radhët e saj
Policia shqiptare duket se e ka plotësuar kushtin e BE-së për liberalizimin e vizave, për sa i përket përfaqësimit të minoritarëve në strukturat e saj, pasi sot numërohen mbi katër kombësi që janë të pranishme në radhët e saj. Pavarësisht se numri i tyre nuk është shumë i lartë, pasi në këto struktura mund të hysh vetëm nëpërmjet konkursit dhe kryerjes së shkollës, policia shqiptare ka qenë dhe mbetet e hapur për të pranuar gjithë aplikantët që vijnë nga minoritetet që kanë shtetësi shqiptare.
Një nga pyetjet për liberalizimin e vizave, sa i përket policisë, ka qenë edhe përfaqësimi i komuniteteve minoritare në këto struktura. Të interesuar për këtë, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit është shprehur zyrtarisht, duke deklaruar se në strukturat e saj rezultojnë të punësuar 42 punonjës, që i përkasin minoriteteve etnike. Shifrat, sipas burimeve zyrtare, janë deri në fund të vitit 2009, pasi analiza të tilla bëhen çdo fundviti. Më tej, policia ka shpjeguar edhe ndarjen për çdo minoritet, duke deklaruar se vendin e parë për përfaqësi në polici e zë minoriteti rom ose egjiptian. Sipas të dhënave, aktualisht në polici janë të punësuar 16 persona nga ky minoritet, ose e thënë ndryshe 37% e numrit total të të punësuarve nga minoritetet. “Vendin e dytë e zë minoriteti maqedonas, ku rezultojnë të punësuar 14 punonjës policie, ose afërsisht 34% e numrit total që i përkasin minoriteteve etnike”, deklaroi Policia e Shtetit. Gjithashtu, policia ka lënë mënjanë edhe probleme të tjera, duke u dhënë mundësinë përfaqësuesve nga minoriteti etnik grek. Në radhët e kësaj strukture të pavarur rezultojnë 11 punonjës policie, ose afërsisht 27% e numrit total të minoriteteve, që kanë kombësi greke. Veç tre komuniteteve të lartpërmendura, në polici ka edhe një punonjës nga minoriteti arumun.
Megjithatë, policia deklaron se përfaqësimi i tyre në radhët e saj nuk është domosdoshmërish i varur prej politikave të strukturave drejtuese. Ata shpjegojnë se policia është një sistem që drejtohet nga një ligj përkatës me konkurrencë të drejtpërdrejtë. Për të hyrë në radhët e policisë, duhet të konkurrosh për të fituar të drejtën për shkollim dhe pasi mbaron arsimin përkatës në shkollën policore, atëherë emërohesh në strukturat e saj. Për të aplikuar në shkollën e policisë, komunitetet minoritare e kanë pasur rrugën të hapur dhe ka pasur shumë kandidatë, pavarësisht se nuk kanë mundur të mbledhin pikët për t’u kualifikuar.
Ndërsa 42 punonjësit e policisë që u përkasin minoriteteve etnike kanë një fakt tjetër interesant, pasi kanë mundur të arrijnë edhe në nivele drejtuese të policisë. Këto nivele, në policinë shqiptare përcaktohen nga gradat. Për këtë, burimet zyrtare shpjegojnë se këta punonjës policie kanë grada të ndryshme, duke filluar që nga “Inspektor” deri në “Drejtues”, që kjo e fundit është një gradë që të jep funksion deri edhe në nëndrejtor Drejtorie të Policisë. Policia shton se ata janë të punësuar në struktura të ndryshme të policisë, duke filluar që nga ato të hetimit të krimit, të sigurisë publike, të kufirit dhe migracionit, por edhe në struktura të tjera.
#