E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Nuk ekzekutohen vendimet e gjykatave

Tiranë- Partia socialiste ka reaguar sot për moszbatimin e vendimit të gjykatëve, duke deklaruar se ky është një tjetër premtim i pambajtur i qeverisë Berisha.

Sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve në PS, Ylli Manjani, Berisha gënjeu shqiptarët kur premtoi se do të ekzekutonte të gjitha vendimet e gjykatave.

“Berisha, më shumë se sa gënjeshtar, është shkelës i hapur i kushtetutës së vendit dhe veçanërisht i lirive dhe të drejtave themelore të shqiptarëve. Është pak sepse, më shumë se sa gënjeshtarnë këta tre vite shteti i Sali Berishës ka thelluar borxhin e tij financiar ndaj qytatarëve, duke rritur dëmin ekonomik”- tha ai, gjatë një deklarate për shtyp, duke sqaruar se edhe pas premtimit të bujshëm të Kryeministrit, që deri në fund të vitit 2005 do të zbatoheshin të gjitha vendimet e gjykatave, përsëri sot në dhjetor 2008 situata në këtë sektor është alarmante.

Ai duke iu referuar të dhënave zyrtare, deri më sot figurojnë rreth 15 600 çështje të regjistruar në shërbimin e përmbarimit për t’u ekzekutuar. Vetëm 3 800, prej këtyre çështjeve janë ekzekutuar.

Kjo, sipas Manjanit do të thotë se vetëm 24% e vendimeve të gjykatës së formës së prerë, që sot disponojnë shqiptarët në dorë mund të ekzekutohen. Kjo do të thotë se të gjithë përpjekjet e shqiptarëve për të fituar një gjyq, qeveria e Sali Berishës e çon të gjithën në lum duke mos e ekzekutuar.

Ai ka kujtuar Kushtetutën dhe nenin 142 të saj, që sakëtson se "organet e shtetit janë të detyruara të ekzekutojnë vendimet gjyqësore", por Berisha, sipas Manjanit nuk do t'ia dinë, për shtet, kushtetutë e ligj.

Shumica e vendimeve të gjykatave të pazbatuara, ka theksuar më tej ai janë detyrime financiare, por jo vetëm, të shtetit ndaj qytetarëve. Sipas tij, edhe në buxhetin e ri të miratuar nuk ka asnjë qindarkë të parashikuar për pagimin e detyrimit të qytetarëve.

Sipas tij, edhe ligji për Përmbarimin Privat, dërguar së fundi në Kuvend nuk do të sjellë asnjë përmirësim të situatës. “PS-ja mendon se çështja e zbatimit të vendimeve të gjykatave Shqiptare është në gjendjen e emergjencës shtetërore dhe për këtë nevojitet një program i detajuar veprimi që përfshin disa veprime ekzekutive të rrepta”- tha ai, duke garantuar zgjidhje pas ardhjes së socialistëve në pushtet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›