E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Eagle Mobile”, shqiponja fluturon në gjithë Shqipërinë

Janë dashur vetëm 6 muaj dhe “Eagle Mobile” pothuajse është shtrirë në gjithë territorin e vendit. “Shqiponja” ka nisur fluturimin drejt të gjithë Shqipërisë, duke mbërritur edhe në zona të largëta. Kjo ka qenë ambicia e drejtuesve të kompanisë së tretë celulare “Eagle Mobile” dhe duket se ia kanë dalë mbanë. Drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin, në një konferencë shtypi ka bërë me dije se “Eagle Mobile” tashmë mbulon 95 % të popullsisë së Shqipërisë dhe brenda një kohe të shkurtër synon të ngrejë në nivelin më të lartë cilësinë e shërbimeve dhe të operojë me tarifa konkurruese në treg. “Ndërsa kompanive të tjera celulare iu është dashur 2 ose më shumë vjet për t’u shtrirë në gjithë vendin, ne këtë e kemi arritur vetëm pothuajse në 6 muaj dhe duket theksuar me një cilësi shumë të lartë shërbimi”, - ka deklaruar dje Taskin. Po jo vetëm kaq, ajo që iu intereson më shumë dhe qytetarëve, garantohet nga “Eagle Mobile”. Taskin ka siguruar të gjithë abonentët se kompania e tij do t’u afrojë tarifa të ulëta dhe të leverdishme. "Kompania “Eagle Mobile”, me tarifat elastike dhe tërheqëse, me risitë teknologjike që na lehtësojnë jetën, do të sjellë një frymë të re në Shqipëri dhe më këtë ndryshim ajo do të dalë në plan të parë", - vuri theksin Taskin. Sipas tij, me hyrjen në treg të “Eagle Mobile” do të shtohet konkurrenca, çka do të bëjë të mundur edhe uljen ndjeshëm të tarifave të telefonisë celulare. "Aktualisht konsumatori shqiptar paguan shumë dhe merr pak, por me hyrjen e “Eagle Mobile” ky konsumator do të marrë shumë dhe do të paguajë pak", - siguroi ai shqiptarët. “Eagle Mobile” mbulon me sinjal rreth 95 % të territorit të vendit, duke përfshirë të gjithë Ultësirën Perëndimore, që nga Shkodra deri në Sarandë, ndërsa Taskin tha se shumë shpejt sinjali do të shtrihet në gjithë Shqipërinë, duke u sjellë konsumatorëve shërbime me tarifa tërheqëse, të përshtatshme dhe të kënaqshme.

“Eagle Mobile” ofron tarifat e reja të shërbimit “Proring”, që ofrojnë zgjidhje për të gjitha kategoritë e shoqërisë, duke sjellë një risi dhe shërbime që konsumatorët shqiptarë nuk i kanë provuar më parë. Drejtori i Përgjithshëm i “Eagle Mobile”, Ali Taskin tha se "oferta më e fundit e “Eagle Mobile” për kategorinë biznes, “Proring”, është një kombinim i jashtëzakonshëm i 4 planeve tarifore të dizajnuara enkas për shoqëritë e biznesit, si dhe për familjarët, miqtë apo të afërmit e tyre”. “Proring” ofron komunikim falas me të gjithë pjesëtarët e grupit të biznesit apo anëtarë të familjes, ndërkohë që aplikon tarifat më të ulëta në treg, dhe ofron E-mail Mobil, Internet Mobil (EDGE), APN korporative, Televizion Mobil, POS Mobil, të gjitha këto kundrejt një pagese modeste mujore fikse.

Proring 30, 60 dhe Proring 600, janë tre programe tarifore të dizajnuara enkas për familjarët, miqtë apo të afërmit e anëtarëve të programit tarifor “Proring Unlimited”. Duke zgjedhur njërin nga këto programe apo duke bërë një kombinim të tyre, anëtarët e “Proring Unlimited” do të kenë mundësinë e komunikimit falas me të zgjedhurit e tyre pa pasur nevojën e kryerjes së ndonjë pagese tjetër shtesë. Ndërkohë, “Proring Unlimited” është programi më i favorshëm për të gjitha shoqëritë e biznesit. Ky program parashikon një pagesë modeste fikse mujore dhe një komunikim pa limit, falas jo vetëm brenda shoqërisë, por edhe me anëtarët e shoqërive të tjera që bëjnë pjesë në këtë familje programesh “Proring”. Deri me hyrjen e “Eagle Mobile” në tregun shqiptar operonin dy kompani për telefoninë celulare “AMC – Cosmote” dhe “Vodafone”. “AMC – Cosmote” vepron prej vitit 1998, pasi bleu kompaninë e komunikimit celular AMC, atëherë shtetërore, ndërsa “Vodafone” vepron prej vitit 2000. “Vodafone”, me anë të kompanisë që zotëron në Greqi, atëherë “Panafon”, fitoi licencën e dytë të telefonisë celulare të ofruar nga shteti shqiptar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›