E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjykata, 2 javë kohë pedofilëve për të gjetur avokatë

Gjykata e Tiranës ka nisur dje procesin gjyqësor në ngarkim të dy britanikëve të akuzuar për pedofili, Dino Kristodulu e Robin Arnolds, të ekstraduar pak kohë më parë nga autoritetet londineze. Por, togat e zeza kanë hasur në një problem, i cili ka të bëjë me mungesën e avokatëve të dy të pandehurve, të cilët nuk mund t’u caktoheshin kryesisht për shkak të kombësisë, por në të njëjtën kohë nuk mund t’u merret një përkthyese gjatë seancave, pasi të pandehurit kanë nevojë për komunikim direkt me avokatët mbrojtës së tyre. E gjendur përballë një situate të tillë, por edhe për të respektuar të drejtat e tyre që u takojnë me ligj, gjyqtarja e çështjes, Shefkie Demiraj, vendosi dje t’u japë dy javë kohë dy të pandehurve të konsultohen me studiot ligjore për të gjetur avokatë që flasin anglisht për t’i përfaqësuar gjatë seancave gjyqësore. Kjo solli edhe për pasojë shtyrjen e seancës së djeshme, e cila është lënë për të vijuar pas dy javëve. Gjykata e Tiranës kishte vendosur pezullimin e gjykimit për dy të pandehurit Kristodulu e Arnolds, pas kërkesës së autoriteteve britanike që dy të akuzuarit të ishin të pranishëm gjatë gjykimit.

Akuza

Dino Kristodulu e Robin Arnolds akuzohen se kanë abuzuar seksualisht dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj të miturve, të cilët ishin sistemuar në qendrën “Fëmijët e tij” të drejtuar nga i pandehuri tjetër, David Braun. Dy të pandehurit u ekstraduan pak javë më parë nga autoritetet britanike, pas kërkesës së drejtësisë shqiptare që këta dy shtetas të silleshin për t’u gjykuar në Shqipëri. Të akuzuarit u munduan gjatë gjithë seancave të gjykatës londineze të evitonin ardhjen në Shqipëri për t’u përballur me akuzat, me pretendimin se u kërcënohej jeta, por asnjë nga pretendimet e ngritura nuk u mor parasysh. E vetmja kërkesë e drejtësisë britanike ishte që procesi gjyqësor të pezullohej derisa Arnolds e Kristodulu të ekstradoheshin dhe të ishin të pranishëm gjatë procesit gjyqësor. Ndërkohë që, gjatë dëshmive të tyre, fëmijët kanë deklaruar se dy të pandehurit Kristodulu e Arnolds kanë qenë mjaft të dhunshëm me ta, madje duke konfirmuar edhe abuzimin seksual nga ana e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›