Presidenti i Bajernit sulmon FIFA-n
Presidenti i Bajernit të Munihut, Uli Hënes, sulmoi FIFA-n për zgjedhjen e Rusisë dhe Katarit për të organizuar Kupën e Botës së vitit 2018 dhe 2022, duke e konsideruar procedurën një skandal të vërtetë.
Gjatë një intervistë për revistën sportive gjermane “Sport Bild”, Hënes tha se presidenti i FIFA-s, Sep Blater “ka humbur kontrollin” e gjërave.
“Është një skandal sesi gjërat kanë rrjedhur atje (te FIFA)”, - citohet Henës. “Duket, se një ofertë mund të jetë e suksesshme nëse pagesat shtesë janë bërë nën tavolinë. Një skandal vjen mbi majën e një tjetri”.
Ish-ylli i Gjermanisë tha se FIFA është duke shkatërruar imazhin e futbollit dhe se federata ndërkombëtare duhet të reformojë veten dhe të bëhet më transparente.
Hënes tha “është koha” që federata kombëtare të fuqishme nga vende të tilla si Gjermania, Anglia, Spanja dhe Franca të “pastrojnë” FIFA-n.
Rusia do të organizojë Kupën e Botës së vitit 2018 dhe Katari atë të vitit 2002.
Blateri kishte premtuar se organizata e tij do të ishte e lirë nga korrupsioni pas skandaleve të publikuara përpara votimit, dhe se ai ka qëllim të ndërtojë një komitet të ri me anëtarë të jashtëm për të monitoruar trupin qeverisës.
Presidenti zviceran i FIFA-s synon ta prezantojë projektin përpara 208 federatave në muajin qershor, kur dhe ai do të shpallë kandidaturën e tij për të kërkuar rizgjedhjen edhe për një periudhë tjetër katër vjeçare.
Zyrtarët e FIFA-s u akuzuan për marren e ryshfeteve në këmbim të dhënies së votës përpara se vendet organizatore të përcaktoheshin përmes votimit.
Paneli i etikës së FIFA-s investigoi rastet e dy prej 24 anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, Amos Damu dhe Rejnald Temari, duke i përjashtuar ata nga votimi, në bazë të akuzave të publikuara në gazetën angleze, “The Sunday Times”.
Adamu nga Nigeria u bë zyrtari i parë i FIFA-s i pezulluar për marrë ryshfetesh, duke i hequr edhe për një periudhë trevjeçare pjesëmarrjen e tij në detyrat që lidhen me futbollin.
Temarit, një zëvendëspresident i FIFA-s nga Tahiti, ju dha një dënim njëvjeçar për thyerjen e rregullave të konfidencialitetit dhe luajalitetit.
Përzgjedhja e Katarit për organizimin e Kampionatit Botëror të vitit 2022 ka shkaktuat shumë pakënaqësi në shumë vende të botës. Katari fitoi të drejtën e organizimit të Kupës së Botës 2012, duke mundur në raundin e katërt Shtetet Bashkuara me rezultatin e votimeve 14:8.
Reagimi i shtypit ndërkombëtar ishte shumë kritik. Gazeta angleze “Daily Mirror” kishte vendosur titullin: “E shitur, futbolli nuk vjen në shtëpi. Oferta më e mirë humbi. Oligarkët miliarderë të Rusisë dhe miliarderët e naftës nga Katari fituan”. Gazeta spanjolle “El Mundo” kishte si titull: “Rusia dhe Katari, gazi dhe nafta”.
Media angleze e ka akuzuar FIFA-n për këtë dy vendime surprizë. Sipas gazetës “The Sun”, vendimi për Botërorin 2018- aty ku ishte në garë edhe Anglia - ishte i vendosur më parë. Në këtë të përditshme shkruhet se shefi i përfaqësisë ruse ishte i bindur që vendi i tyre do të fitonte. Shefi i ofertës “Angli 2018”, Endi Enson u shpreh i habitur ku pa se shteti i tij arriti të merrte vetëm 2 vota, kundrejt 7 ose 8 që priteshin si të sigurta.
Katari teston
veten me
Kupën e Azisë
Edhe pse Kupa e Botës së vitit 2022 do dhe më shumë se një dekadë për t’u organizuar, Katari do të ketë shansin e tij të parë për të organizuar një turne të madh futbolli, kur Kupa e Azisë do të zhvillohet në vendin ku mbizotëron shkretëtira. Kupa e Azisë fillon më 7 janar dhe përfundon më 29 janar dhe do të zhvillohet në temperatura normale vere. Presidenti i Konfederatës aziatike, Mohamed Bin Hamam, tha se Kupa e Azisë në Katar “do të jetë turneu më i bukur në historinë e kompeticionit”.
FIFA mund të rifusë “golin e artë”
FIFA mund të rifusë “golin e artë” në kohën shtesë në Kupën e Botës së vitit 2014 që do të organizohet në Brazil. Presidenti i FIFA-s, Sep Blater tha se e shikon si të mundshme futjen e “golit të vdekjes” me synimin për t’i dhënë më shumë cilësi Kupës së Botës kur ndeshjet do të shkojnë në kohën shtesë në raundet me eliminim direkt. “Goli i artë? Disa njerëz e pëlqejnë atë, disa të tjerë jo”, - tha Blateri gjatë një interviste për faqen zyrtare të FIFA-s. Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s kërkon më shumë atraktivitet në Botërorin e Brazilit. Nga 16 ndeshjet me eliminim direket në Botërorin e Afrikës së Jugut, katër prej tyre shkuan në shtesa, përfshirë dhe finalen e fituar 1-0 nga Spanja ndaj Holandës. “Goli i artë” u aplikua në Botërorin e vitit 1998 dhe 2002 dhe ishte vendimtar për Gjermaninë në finalet e Kampionatit Europian të vitit 1996 dhe për Francën katër vjet më pas. Në vitin 2004 ai u braktis pasi shumë ekipe zgjodhën të mbronin rezultatin për të provuar shanset e tyre nga gjuajtjet e penalltive.
Dëshmitari: “Lihteshtejn-Finlandë
për Kupën e Botës, e manipuluar”
Një dëshmitar në procesin e fiksimit të ndeshjeve tha se ai i kishte dhënë ryshfet një gjyqtari nga Bosnja për të manipuluar kualifikuesen e Kupës së Botës midis Lihtenshtejnit dhe Finlandës. Ante Sapina tha para gjykatës gjermane se ai ishte përpjekur të rekrutonte katër persona, të cilët takuan më pas gjyqtarin, Nova Paniç, në parkimin e një hoteli në Sarajevo, për të diskutuar manipulimin e ndeshjes kualifikuese të 9 shtatorit të vitit 2009 e që përfundoi në barazim 1-1. Të dyja skuadrat, si Lihteshtejni dhe Finlanda nuk ishin pjesë e finaleve të Botërorit të Afrikës së Jugut. “Unë e pyeta atë nëse ai mund të menaxhonte dy gola në pjesën e dytë”, - tha Sapina para gjykatës. Të dy golat u shënuan në pjesën e dytë, ai i Finlandës pas një penalltie të diskutueshme. “Në pjesën e dytë gjyqtari dha një penallti që nuk mund të ishte kurrë e tillë”, - tha kroati 34-vjeçar para gjykatës. Lihteshtejni barazoi një minutë më pas. Sapina tha se ai e pagoi Paniçin 52 mijë 850 dollarë për fiksimin e ndeshjes. Paniçi më pas u dënua për jetë për të mos gjykuar më kurrë. Sapina ishte ndëshkuar edhe më parë në Gjermani në vitin 2005, duke bërë 35 muaj burg. Prokurorët në Gjermani kanë thënë se të paktën 300 ndeshje janë të dyshuara për manipulim në kompeticione kombëtare dhe ndërkombëtare.
6 Janar 2011