E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asambleja e PS-së, pritet tërheqja e anëtarëve të KQZ-së



Socialistët do të mbledhin javën e ardhshme Asamblenë Kombëtare për të diskutuar për situatën aktuale politike, për djegien e fletëve të votimit dhe për nisjen e protestave masive në të gjithë vendin. Lajmin e bëjnë të ditur burime informacioni pranë selisë rozë, të cilat i referohen një mbledhjeje të zhvilluar mes kryetarit të Partisë Edi Rama dhe Kryesisë së Grupit Parlamentar të PS-së. Ka qenë vetë kreu i PS-së Rama që ka njoftuar thirrjen e Asamblesë Kombëtare të kësaj partie, e cila pritet të miratojë strategjinë politike të radhës që do të ndjekë opozita në kushtet e reja të krijuara pas rrëzimit përfundimtar të kërkesës së saj për ngritjen e komisionit hetimor parlamentar për të bërë transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Vendimet
Burimet bëjnë të ditur se janë tre vendime kryesore që pritet të diskutohen në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare. Pas vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor për asgjësimin e fletëve të votimit të përdorura në zgjedhjet e fundit parlamentare, socialistët pritet të ndërmarrin një aksion politik që ka në fokus pikërisht Komisionin Qendror Zgjedhor. Ata do të kërkojnë tërheqjen e përfaqësuesve të tyre në KQZ si shenjë proteste ndaj vendimit të njëanshëm të këtij institucioni që vendosi asgjësimin e fletëve të votimit, duke rrëzuar kauzën e opozitës të mbrojtur me çdo mjet për më shumë se një vit e gjysmë. Këtë e ka bërë të ditur edhe një deputet socialist gjatë një prononcimi për mediat. Kastriot Islami pohoi dy ditë më parë, se “futja në lojë e KQZ-së vetëm do ta komplikojë më tej situatën dhe do ta fusë në këtë sherr politik edhe KQZ-në”. Madje ai ka bërë të ditur se ka shumë gjasa që PS-ja taktikisht të tërheqë komisionerët nga KQZ-ja të frenojë apo vonojë procesin e parapërgatitjeve të zgjedhjeve vendore. Një tjetër kërkesë e PS-së do të jetë dhe ajo për dorëheqjen e kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani, tek i cili pritet të përqendrohet sulmi i radhës i opozitës. Një tjetër çështje e rëndësishme që do të diskutohet në Asamblenë Kombëtare të PS-së është tërheqja e anëtarëve të PS-së në Këshillin Drejtues të Radio Televizionit, duke e akuzuar këtë institucion për njëanshmëri dhe që është vënë tërësisht në funksion të qeverisë dhe maxhorancës. Socialistët do të diskutojnë edhe për ecurinë e mëtejshme të turit të protestave popullore, të cilat, sipas tyre, janë një mjet demokrat për të rrëzuar qeverinë.
Burime nga takimi që kryetari Rama ka zhvilluar pak ditë më parë me kryesinë e Grupit Parlamentar kanë bërë të ditur se një tjetër pikë diskutimi ka qenë dhe përgatitja për zgjedhjet e ardhshme vendore. Mësohet se lideri i selisë rozë ka kërkuar që të vijojnë detyrat për organizimin mbi zgjedhjet që do të mbahen më 8 maj 2011. Për këtë qëllim, ai ka kërkuar nga deputetët që të vijojnë ngritjen e sistemit të patronazhit. Sipas një plani të detajuar, socialistët do të duhet të verifikojnë listat paraprake të zgjedhësve brenda datës 25 janar. Në këtë mënyrë, sipas drejtuesve socialistë, do të mund të mbyllet çdo hapësirë për manipulimin e listës dhe të votës. Për këtë arsye, lideri i selisë rozë mësohet se u ka kërkuar deputetëve që të zbresin në zonat e tyre elektorale, për të cilën janë përgjegjës dhe të vëzhgojnë nga afër të gjithë procesin e verifikimit të listave.

Berisha e fton opozitën të bashkëpunojë për realizimin e axhendës së qeverisë

Në mbledhjen e parë të qeverisë për vitin 2011, kryeministri Berisha, ndërsa ka prezantuar objektivat e qeverisë për këtë vit, e ka ftuar opozitën të bashkëpunojë për realizimin e kësaj axhende ambicioze, siç e cilësoi ai. Sipas Berishës, opozita është e ftuar të bashkëpunojë, por ai theksoi se askush nuk mund të pengojë realizimin e objektivave të kësaj qeverie, që synojnë ta rendisin Shqipërinë në listën e vendeve të zhvilluara brenda vitit 2017. “Objektivat janë të qartë, të kthjellët, rritja e rrogave dhe pensioneve i pandryshueshëm. Përpjekje të gjithanshme për të përmbushur detyrimet tona në procesin e integrimit europian, mbetet kjo shtylla kryesore, objektivi ynë më madhor. Ne do të bëjmë gjithçka që varet nga qeveria. Natyrisht, e ftojmë opozitën të bashkëpunojë me këtë axhendë jashtëzakonisht të rëndësishme, por është në tagrin e saj të marrë vendimet që do. Axhenda jonë është axhenda jonë dhe kjo axhendë nuk mund të pengohet nga asgjë. Imagjinoni ju sikur këto arritje të ishin futur në kuti. Pra shqiptarëve u mbeten vizat, u mbeten rrogat dhe pensionet, u mbetet një sistem i ndryshuar arsimor, u mbetet një hov i madh cilësor në fushën e teknologjisë dixhitale. U mbeten arritje madhore në ekonomi, financa dhe të gjitha fushat. Dikujt tjetër i mbetet kutia. Unë i kam dalë borxhit dhe i dal përsëri. Jam i gatshëm të bashkëpunoj, por përndryshe axhenda ime është intensive dhe jam i papërmbajtur në zbatimin e saj”, - është shprehur Berisha. Ai tha se axhenda do të vazhdojë dhe është në interesin më të mirë të opozitës që të bashkëpunojë. “Unë e ftoj opozitën të bashkëpunojë në interesin e saj më të mirë. Ndaj dhe të kemi parasysh që objektivat duhet të jenë të tillë që të konsolidojnë themelet e objektivit historik dhe madhor, ‘Shqipëria vendi zhvilluar brenda vitit 2017’. Kemi 91 komuna të palidhura me rrugë automobilistike me akset kombëtare. 45 do të lidhen brenda këtij viti. Ky është një objektiv madhor që nuk lëviz. Kemi projektin e madh të farorëve, arrave, lajthive, gështenjave, bajameve dhe shegëve. Vendosja e sigurimeve të reja shëndetësore. Vetëm një sistem shëndetësor eficient që i ofron ndihmën çdo qytetari, Shqipëria mund të jetë një vend i zhvilluar. Reformat e agjencive të varura nga Ministria e Drejtësisë, procesi i dixhitalizmit, hedhja e bazave për një dixhitalizim të plotë të regjistrit të tokës, të sistemit shëndetësor, duhet të jetë një objektiv tjetër madhor”, - është shprehur Berisha.

Berisha u lë ministrave 5 ditë kohë për përcaktimin e objektivave

Gjatë fjalës së mbajtur dje në mbledhjen e qeverisë, Berisha kërkoi nga secili ministër që brenda një afati 5-ditor të paraqesin objektivat specifike për secilën ministri, të cilat më pas do të bëhen të ditura për qytetarët. Kryeministri theksoi se qeveria do të dalë para qytetarëve me objektivat më të qarta, duke i informuar ata dhe duke iu dhënë mundësinë të kontrollojnë një për një zbatimin e tyre. “Të nderuar zotërinj ministra, është e domosdoshme që të riformulojmë edhe një herë objektivat e kristalta, të cilat ju dhe unë do t’i shpallim para mediave, në mënyrë që çdo qytetar shqiptar të njihet me detyrimet që merr përsipër qeveria, në interesin e tyre më të mirë, gjatë vitit 2011. Ka një thënie ky popull, që burri lidhet nga fjala, ndaj dhe ne do t’ua bëjmë të qartë shqiptarëve se çfarë do të bëjmë këtë vit me buxhetin më të madh në historinë e tyre”, - është shprehur Berisha.

7 Janar 2011

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›