Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell konfirmon largimin e Vilanovës
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell, e ka konfirmuar në një konferencë urgjente për shtyp largimin e trajnerit Tito Vilanova.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, konferenca urgjente për shtyp ishte mbajtur dhe të pranishëm ishin të gjithë lojtarët e Barcelonës, zëvëndëspresidenti Andoni Zubizarreta dhe presidenti Sandro Rosell.
Rosell e mori fjalën, duke konfirmuar menjëherë largimin e Tito Vilanovas nga Barcelona.
Presidenti shtoi se Vilanova nuk është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se ai duhet që të trajtohet dhe këtë më së miri mund ta bëjë pa qenë i angazhuar si trajner i ekipit të parë.
Ai konfirmoi po ashtu se Barcelona do të konfirmojë jo më larg se javën e ardhshme trajnerin e ri.
Ndër të tjera, zyrtarët e Barcelonës në këtë konferencë për shtyp kërkuan që të respektohet privatësia e Titos gjatë trajtimit të sëmundjes së tij.
Besohet se Tito Vilanova ka pësuar një rikthim të tumorit, që duket se e ka detyruar atë të largohet nga detyra si trajner i klubit nga Camp Nou.
Tito Vilanova punoi për tri vjet si asistent i Pep Guardiolas, para se të zëvëndësonte atë në postin e trajnerit sezonin e kaluar.
Ai me Barcelonën arriti ta fitonte La Ligan në sezonin e parë duke rrëzuar nga froni rivalin e përbetuar, Real Madrid.