E Diel, 1 Nëntor 2026

"Presidenti i Elbasanit", vizita mister në Maqedoni

Nga Gerti Xhaja
Laze dyshohet se siguronte drogën falë lidhjeve në Maqedoni dhe, pasi hiqte mënjanë sasinë që do të "hidhej" në tregun vendas, ndante veç pjesën e destinuar për t'u trafikuar në Greqi dhe Itali. 

TIRANE -Arben Laze, presidenti i Klubit të Futbollit Elbasani, ishte në Maqedoni dy ditë para se ai të arrestohej për akuzën e "trafikimit e shpërndarjes së drogës, në kuadrin e organizatës kriminale". Laze dyshohet se siguronte drogën falë lidhjeve në Maqedoni dhe, pasi hiqte mënjanë sasinë që do të "hidhej" në tregun vendas, ndante veç pjesën e destinuar për t'u trafikuar në Greqi dhe Itali. Lajmi konfirmohet nga burime të besueshme pranë Departamentit të Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Arben Laze u arrestua pasditen e së mërkurës në rrugën nacionale Elbasan-Librazhd, ndërsa në makinë i janë gjetur 1 mijë euro. Arrestimi i Lazes erdhi pas operacionit të Drejtorisë së Antikrimit të Organizuar dhe Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të martën në Kthesën e Divjakës, ku u kap me 1 kilogram heroinë Shkëlqim Hyzma. Ky i fundit, sipas burimeve konsiderohet si korrier i grupit dhe drogën do ua shiste në Tiranë shpërndarësve të lëndëve narkotike. Operacioni u kodua "Mesfushori", për vet faktin se Laze, nga qyteti i tij i Elbasanit, si një pikë kyçe në mes të Shqipërisë dhe kanaleve të drogës, organizonte "lojën" për të shpërndarë drogë brenda vendit dhe trafikuar jashtë. Në pranga kanë përfunduar edhe Fatjon Laze, vëllai i Arbenit dhe Arben Prifti, miku i tyre nga Fieri. Në polici është shoqëruar dhe marrë në pyetje një nga drejtuesit e ekipit të Elbasanit, por që është lënë i lirë pasi është sqaruar se nuk kishte lidhje me akuzat ndaj presidentit Laze. Në fakt, Prifti ka qenë në hetim për një vrasje të kryer në Fier dhjetorin e vitit të kaluar, dyshim i cili nuk u faktua nga policia.
Dëshmitë
Katër të arrestuarit, Arben e Fatjon Laze, Arben Prifti dhe Shkëlqim Hyzma ndodhen të siguruar në ambientet e izolimit të Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Veç Hyzmës, të cilit i është bllokuar droga në makinë, tre të tjerët kanë mohuar dhe kundërshtuar akuzat e prokurorisë dhe policisë. Nuk kanë pranuar të japin shpjegime të hollësishme për oficerët e policisë gjyqësore, pa u konsultuar më parë me avokatët. Sot pritet të zhvillohet masa e arrestit për katër të arrestuarit dhe burimet policore u shprehën se kishin siguruar të gjitha provat e nevojshme për togat e zeza, për të siguruar masën e arrestit me burg për të gjithë. Të njëjtat burime konfirmuan se të arrestuarit ishin mbajtur nën survejim prej muajsh dhe përgjatë gjithë kësaj kohe kanë qenë në përgjim. Është dashur bllokimi i sasisë së drogës në segmentin Lushnjë-Rrogozhinë, që hetuesit të dokumentonin provat e siguruara nga përgjimet dhe të dhënat në rrugë operative.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›