Presidenti i KE, Barroso uron presidentin Nishani me rastin e zgjedhjes në krye të shtetit
Presidenti i Komisionit Evropian, Hoze Manuel Barroso vlerëson figurën e Presidentit të zgjedhur Bujar Nishani, dhe i garanton atij bashkëpunim të ngushtë në kursin e reformave, që do ta afrojnë vendin me Bashkimin Evropian. Barroso e fton presidentin Nishani të punojë për dialogun ndërpartiak dhe pavarësinë e institucioneve
Presidenti i Komisionit Europian, Hoze Manuel Barroso i ka dërguar një mesazh urimi Presidentit Bujar Nishani, për zgjedhjen në detyrën e re.
Në mesazhin e tij, Barroso ka përshëndetur zgjedhjen e Nishanit si President, ndërsa i ka uruar suksese në ushtrimin e funksioneve të tij ku veçon rolin e tij si përbashkues i politikës dhe garantimin e pavarësisë së institucioneve. Presidenti i KE, Barroso kërkon angazhimin e të gjitha forcave politike, për realizimin e reformave të integrimit.
“Shkëlqesia Juaj,
Dëshiroj t’ju uroj me rastin e zgjedhjes Tuaj si President i Republikës së Shqipërisë.
Ky është një moment kritik për rrugën që po ndjek Shqipëria drejt Bashkimit Evropian. Reformat që duhet të ndërmarrë Shqipëria për të arritur progres drejt Bashkimit Evropian kërkojnë konsensus kombëtar dhe punë të qëndrueshme, koherente dhe konstruktive nga të gjitha institucionet dhe partitë politike. Si President i Shqipërisë, që përfaqësoni unitetin e popullit në linjë me Kushtetutën, roli Juaj do të jetë jetësor për të garantuar që do të ruhet klima e mirë politike dhe do të mbështetet pavarësia dhe profesionalizmi i institucioneve kryesore shtetërore, veçanërisht në fushën e gjyqësorit. Bashkëpunimi i ngushtë dhe i sinqertë ndërmjet forcave politike, veçanërisht në kuadër të finalizimit të implementimit të marrëveshjes politike të muajit nëntor dhe përkushtimi i vazhdueshëm dhe i përgjegjshëm me synim arritjen e rezultateve nga të gjithë aktorët e përfshirë janë bazat për të siguruar që reformat e kërkuara do të zbatohen. Ju uroj suksese në rrugën Tuaj për të ndihmuar Shqipërinë të bashkojë përpjekjet e saj për të kapërcyer sfidat që ajo ndeshet për të realizuar të ardhmen evropiane. Komisioni Evropian mbetet i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian”, thuhet në mesazhin e Presidentit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso. Parlamenti zgjodhi të hënën me 73 vota “pro” kandidatin e mazhorancës, Bujar Nishani President të Republikës. Sipas afateve kushtetuese, Bujar Nishani merr detyrën dhe bën betimin më 24 korrik.