E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Kosovës Pacolli vizitë zyrtare në Maqedoni

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli sot mbërrin për vizitë zyrtare në Maqedoni me ftesë të presidentit Gjorgje Ivanov.

Për pritjen e presidentit Pacolli është organizuar një ceremoni zyrtare me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, njoftojnë nga kabineti i presidentit Ivanov.

Takimet e para do të nisin paradite me homologun maqedonas Gjorgje Ivanov, ndërsa më pas në axhendë është parashikuar takimi plenar i delegacioneve shtetërore parlamentare dhe qeveritare të të dyja vendeve.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli do të takohet me kryeparlamentarin Trajko Veljanovski, ndërsa në axhendë nuk është parashikuar deri tani takimi me kryeministrin Nikolla Gruevski.

Në kuadër të vizitës në Maqedoni, presidenti Pacolli do të zhvillojë takime me liderët e partive politike, ndërsa axhenda e tij parashikon vizita dhe takime me biznese, shoqërinë civile dhe personalitete të ndryshme në Tetovë dhe Shkup. Gjatë kësaj vizite në Maqedoni, është parashikuar edhe nënshkrimi i Protokollit midis Ministrive të Bujqësisë për bashkëpunimin në fushën e bujqësisë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›