E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti i Kosovës përshëndet Kuvendin e Shqipërisë

Autori i Lajmit: red.
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, vlerësoi në fjalën e mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, se rruga Durrës-Morinë është një arterie shumë e rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë kosovare. Në fjalën e tij, mbajtur para deputetëve shqiptarë, presidenti Sejdiu vlerësoi lidhjet ekonomike mes dy vendeve, të cilat do të realizohen vetëm duke vënë në lëvizje potencialet njerëzore dhe resurset ekonomike. "Vetëm institucionet demokratike, plotësisht funksionale, do të mund të mbështesin iniciativat e zhvillimit dypalësh. Këtu një domethënie të veçantë merr ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës-Morinë, një arterie e rëndësishme për Kosovën në komunikimin e saj me detin Adriatik dhe detin Mesdhe". Presidenti Sejdiu vuri në dukje se edhe institucionet e Republikës së Kosovës po punojnë që të realizohet sa më shpejt kjo lidhje. "Kosova e sheh Shqipërinë si një nga vendet më strategjike për bashkëpunim", - cilësoi ai. Presidenti i Kosovës theksoi përpara deputetëve të Shqipërisë se "kemi vullnetin ta bëjmë Kosovën një vend të zhvilluar të lirë e demokratik". Sipas tij, integrimi evropian është prioritet dhe institucionet e qytetarët e Kosovës po punojnë të arrijnë standardet në këtë drejtim. Kosova, cilësoi ai, është vendi i qytetarëve të barabartë dhe pavarësia jonë mbështet mbi praninë ndërkombëtare dhe misioni i BE-së, EULEX presim që të vendoset në gjithë vendin, deri në dhjetor të këtij viti.

Ky lajm është publikuar: 04/11/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›