E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Maqedonisë Ivanov në Tiranë

TIRANE-Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov ka mbërritur në Tiranë për një vizitë dyditore në vendin tonë.

Presidenti maqedonas Ivanov, i cili vjen në këtë vizitë me ftesë të presidentit Topi, do të pritet gjate paradites në një ceremoni solemne në Pallatin e Brigadave nga Presidenti Topi, ku të dy homologët, pas një takimi që do të zhvillojnë kokë më kokë, do të kryesojnë bisedimet dypalëshe mes delegacioneve respektive zyrtare.
Takimi do të vijojë me nënshkrimin, në prani të dy Presidentëve, të Marrëveshjes për Bashkëpunim ndërmjet Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të procesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Më pas, Presidenti Topi dhe Presidenti Ivanov do t’i përgjigjen interesimit të medias në një konferencë të përbashkët për shtyp. Presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorgje Ivanov do të zhvillojë takime të veçanta me personalitete të larta të shtetit dhe të politikës shqiptare. Gjithashtu në kuadër të kësaj vizite, Presidenti Ivanov do të zhvillojë edhe një takim me përfaqësues të pakicës maqedonase në vendin tonë në ambientet e Hotel “Sheraton”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›