E Diel, 1 Nëntor 2026

Presidenti i Parlamentit gjerman letër Kryetares së Kuvendit: Brenda dy javësh nis procedura e ratifikimit të Protokollit të NATO-s.

  Presidenti i Bundesrat-it (Parlamentit) të Republikës Federale të Gjermanisë, Ole von Beust në një letër dërguar Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, konfirmon se brenda dy javësh Bundesrat-i dhe Bundestag-u gjerman do të nisin procedurën e ratifikimit të Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.   Permbyllja  me sukses e negociatave  të pranimit simbolizon përpjekjet dhe arritjet e mëdha që vendi juaj ka bërë  vitet e fundit. Ne mirëpresim së afërmi vendin tuaj si një vend të ri anëtar të Aleancës, shkruan në letrën e tij Presidenti Ole von Beust.   Zoti Ole von Beust falënderon Kryetaren e Kuvendit për letrën që ajo, së bashku me Kryetarin e Parlamentit të Kroacisë Luka Bebiç i kanë dërguar Parlamentit gjerman  për ratifikimin e Protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO.   Ndërkohë, pas ratifikimit të këtij Protokolli nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Hungaria, Letonia dhe Lituania, Kryetares së Kuvendit i kanë mbërritur letra konfirmimi për një ratifikim në një kohë të shkurtër nga Senati i Francës, Parlamenti i Spanjës, Hollandës, Bullgarisë, Polonisë, Danimarkës, Rumanisë  etj.   Ndërsa një ditë më parë, Kryetari i Senati të Çekisë, zoti Sobotka gjatë vizitës së tij në Tiranë, në takimin me  Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, deklaroi se Senati çek do ta ratifikojë këtë Protokoll brenda muajit tetor.
   
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›