Presidenti i Republikës së Kosovës uron qytetarët e besimit Islam

“Presidenti Sejdiu u ka dërguar mesazhe urimi të gjithë qytetarëve dhe besimtarëve të besimit Islam”, citohet zyra informative presidenciale nga bashkëpunëtori i agjencisë së lajmeve NOA në Prishtinë.
Në tekstin e këtyre mesazheve thuhet:
Qytetarë të dashur të Republikës së Kosovës,
Festën e Bajramit të Madh po e kremtojmë për herë të parë në Republikën e pavarur dhe sovrane të Kosovës. Në këtë ditë feste, shprehim nderimin tonë për të gjithë ata që me agjërim kanë kaluar një muaj nën shenjën e adhurimit të Zotit, nën shenjën e mirësisë dhe të përulësisë, të sakrificës e të gjendjes pranë njëri-tjetrit.
Duke e përsëritur falënderimin tonë të gjithmonshëm për miqtë tanë, që na u gjetën në orët më të liga të historisë, ritheksojmë vendosmërinë tonë për forcimin dhe sundimin e rendit dhe të ligjit në shtetit tonë, për krijimin e një mjedisi të qetë e stabil, në mënyrë që brezave të ardhshëm t’u krijojmë kushte më të mira për jetë dhe prosperitet në atdheun tonë të shtrenjtë.
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës dhe popullin e saj!
Presidenti i Republikës së Kosovës, Dr. Fatmir Sejdiu.
***
Ndërkohë, Presidenti Sejdiu uroi edhe Kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava:
Më lejoni që në emrin tim dhe të popullit të Republikës së Kosovës t’ju shpreh urimet më të përzemërta me rastin e festës së Bajramit të Madh, e cila sivjet është më e veçantë se asnjëherë më parë, meqë kremtohet në shtetin tonë të pavarur e sovran, të njohur e të bekuar nga miqtë tanë anekënd botës.
Në këtë ditë të shënuar, ne shprehim sërish vlerësimin tonë të lartë për fjalën tuaj të urtë dhe angazhimin e përhershëm për paqe, tolerancë dhe stabilitet në Kosovë”, - mbyllet mesazhi i urimit të Presidentit të Republikës së Kosovës.
a.b/NOA