E Shtunë, 31 Tetor 2026

QNK Arbnori, konkurs letrar për të verbrit

Tiranë, 19 Shtator 17:29 NOA - Qendra Ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori”, në bashkëpunim me Shoqatën e të Verbërve të Shqipërisë dhe Qendrën Kombëtare të Rehabilitimit te të Verbërve organizojnë konkursin e parë kombëtar letrar “Me sytë e shpirtit” për krijuesit e verbër.

Në këtë konkurs që zhvillohet nesër, marrin pjesë krijues, poet dhe shkrimtare të verbër në nivel kombëtar, të cilët gëzojnë pasionin dhe talentin për të shkruar. Ata kanë ardhur në këtë kompeticion me krijimet e tyre në poezi dhe prozë të botuara ose jo.

Për herë të parë në këtë eveniment ata do të vlerësohen për talentin e vullnetin e tyre nga profesioniste si dhe do të promovohen para një publiku artdashës për krijimtaritë e tyre.

Ceremonia e shpërndarjes së çmimeve pritet të shoqërohet me surpriza për konkurrentët fitues, disa prej të cilëve do t’i shohim edhe si recitues apo këngëtarë.

Janë më tepër se 30 krijues të verbër në nivel kombëtar, kryesisht me mungesë të plotë të shikimit, të moshave dhe rretheve të ndryshme të cilët marrin pjesë në këtë eveniment.

Ky aktivitet përbën një risi për opinionin publik, i cili ende është i panjohur me kapacitetet dhe vlerat e këtij komuniteti.

Promovimi i këtyre krijuesve mendohet se do të shërbejë si një ogur i mirë për ta pasi do te mund të fitojnë mbështetjen e munguar morale dhe financiare për të kontribuar me artin e tyre.

QNK thekson se ky konkurs do të pasohet nga kompeticione të tjera të këtij lloji duke u dhënë mundësi të integrohen në nivele të krahasueshme me artistët e tjerë.

l.d/NOA

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›