Topi: PS e PD të bashkëpunojnë për reformat
Presidenti i Republikës theksoi dje se bashkëpunimi institucional mes partive është jetik për të ardhmen e vendit
TIRANË- "Bashkëpunimi institucional mes mazhorancës dhe opozitës është jetik për të ardhmen e vendit".
Është sërish Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili në daljet e tij publike po kërkon me ngulm, që pozita dhe opozita të gjejnë gjuhën e përbashkët me qellim realizimin e reformave në vend.
Pas takimit të zhvilluar dje në mjediset e Pallatit të Brigadave me Presidentin e Republikës së Çekisë, Vaçslav Klaus, Presidenti i Republikës, Bamir Topi është pyetur nga media mbi faktin nëse klima politike në vend e cenon perspektivën evropiane të Shqipërisë. "Natyrisht që marrëdhëniet politike në një vend, që frymëzon integrimin, janë shumë të rëndësishme.
Vendi, sikurse çdo vend tjetër demokratik ka nevojë për një marrëdhënie institucionale mes mazhorancës dhe opozitës. Vetëkuptohet që thirrja frekuente është për këtë lloj bashkëpunimi, i cili është jetik për të ardhmen e vendit. Ka mjaft çështje, edhe në retrospektivën e afërt, ku përtej mosmarrëveshjeve, janë arritur konsensuse të rëndësishme.
Përveçse apelit për bashkëpunim, që vjen nga Presidenti, i tërë vullneti për bashkëpunim është i partive politike", - u përgjigj Topi duke shtuar se, sa më i rëndësishëm të jetë ky bashkëpunim, aq më i lehtë do të jetë edhe procesi i integrimit.
Presidenti i Republikës qartësoi se ajo çfarë kërkohet nga Evropa, është pikërisht vazhdimi i reformave dhe në veçanti reforma në drejtësi. "Patjetër që kërkohet bashkëpunim, jo thjesht politik, por edhe formal për të arritur numrin e nevojshëm të konsensusit, për të miratuar reformat e mëdha në drejtësi. Unë e vlerësoj shqetësimin tuaj.
Unë jam i bindur që nuk do të ketë asnjë lloj pengese nga askush për të pasur kurajën të pengojë integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky është një proces i sigurt, i cili do të finalizohet me sukses", - tha Topi. Prej kohësh, Presidenti i Republikës ka kërkuar që forcat politike në vend të bashkëpunojnë me qëllim integrimin e vendit.
Pak ditë më parë, Presidenti Topi u shpreh se, parimisht ishte kundër bojkotit, por nuk pranoi të argumentonte me hollësi kërkesat e opozitës. Ndërkohë, PS-ja e ka paralajmëruar tashmë, se nuk do të marrë pjesë në Kuvend në rast se nuk do të bëhet transparenca e plotë e zgjedhjeve. Kushti kryesor është pikërisht hapja e kutive të votimit.
Sipas PS-së, realizimi i kësaj kërkese është krejtësisht ligjor dhe nuk konsiston në ndryshimin e rezultatit zgjedhor, por bërjen e transparencës, me qellim parandalimin e manipulimeve në zgjedhjet më të afërta, ato lokalet.