E Shtunë, 31 Tetor 2026

Haxhinasto, vizitë dyditore në Bruksel

Edmond Haxhinasto / Foto arkiv

Zv.kryeministri dhe njëherësh ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto, është nisur sot për një vizitë dyditore në Bruksel. Sipas axhendës së bërë publike në faqen e Ministrisë së Jashtme, Haxhinasto do të takohet fillimisht me Didier Reynders, zv. kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme, Tregtisë me Jashtë dhe Çështjeve Europiane të Belgjikës.

Gjithashtu, Haxhinasto do të takohet dhe me Sabine de Bethune, presidente e Senatit të Belgjikës dhe me Jan Van Esbroeck, deputet, kryetar i Grupit të Bashkëpunimit dhe Miqësisë ndërmjet Parlamentit të Belgjikës dhe Kuvendit të Shqipërisë. Dy zv.kryeministrat do të nënshkruajnë një protokoll për bashkëpunim midis dy Ministrive të Punëve të Jashtme.

Ndërsa në ditën e dytë të vizitës, Haxhinasto do të marrë pjesë në seancën e parë të punimeve të “Business Forum Albanie Wallonie”, ku do të mbajë dhe një fjalim përshëndetës. Ai do të takohet me z. François Xavier de Donnea, ministër Shteti, kryetar i Komisionit të marrëdhënieve me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve të Belgjikës.

Gjatë vizitës së tij në Bruksel, Haxhinasto do të zhvillojë edhe një takim me Martin Shulz, president i Parlamentit Evropian. / G.N.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›